Kushtet klimatike janë faktorët kryesorë që lidhen ngushtë pothuajse me të gjitha funksionet bujqësore. Javë më parë, kushtet klimatike u karakterizuan me djellosje mesatare, me një temperaturë të thatë konstante, që zgjati për disa ditë. Këto temperatura vështirësuan edhe më shumë punët në procesin e mbjelljeve të vona vjeshtore.

Për shkak të mungesës së lagështisë, mbjelljet e grurit u vonuan, ndërsa proceset tjera bujqësore janë shtyrë deri në ndryshimin e temperaturave. IPKO- Stacionet Agrologjike kanë gjeneruar të dhëna të sakta rreth kushteve klimatike për ditët në vijim, duke nxjerrë informata të nevojshme për fermerët.

Në rrafshin e Dukagjinit, mesatarja e temperaturave do të sillet nga 2 gradë Celsius deri në 12˚C, duke përjashtuar regjionin e Gjakovës ku temperaturat do të jenë pak më të larta dhe do të sillen nga 3 deri në 12˚C.

Sa i përket rrafshit të Kosovës, temperaturat do te sillen nga 2 deri në 12˚C, duke ndryshuar nga regjioni i Anamoravës për vetëm 1˚C, pasi në Gjilan temperaturat do te sillen nga 2˚C deri në 11˚C.

Gjatë ditëve ne vijim, temperaturat do të karakterizohen me të reshura të kohëpaskohshme, intensiteti i të cilave do të rritet ditën e Shtunë, të Dielën dhe të Hënën.