Kompania shtetërore saudite e naftës, Saudi Aramco, për herë të parë ka publikuar të ardhurat e saj vjetore, të cilat nuk i ka bërë të ditura prej se ekziston kjo kompani.

Kompania, e cila ka pronare familjen mbretërore saudite, ka gjeneruar më së shumti fitime në botë vitin e kaluar.

Konstatohet që gjiganti arab ka inkasuar 111.1 miliardë dollarë vetëm vitin që shkoi, pothuaj dyfish sa fitimi i kompanisë Apple, dhe 5 herë më shumë se kompania e naftës Royal Dutch Shell, shkruan Financial Times.

Kompania vendosi të bëjë publike fitimet e saj vetëm pas interesimit të investitorëve të huaj për përfshirje në rritjen e mëtutjeshme të kompanisë, përcjell Gazeta Express.

Kompania ka një lidhje historike me rritjen e ekonomisë së Arabisë Saudite.

Pasqyra e rrallë financiare e kompanisë, që prodhon gati 10% të bruto prodhimit të naftës, tregon varësinë e shtetit nga ky prodhues i naftës.

Qeveria në Riad është mbështetur në sektorin e naftës për 63% të buxhetit në vitin 2017.

Tani një marrëveshje e re që parashihet të bëhet për blerjen e aksioneve të Sabico, pritet t’i i japë kompanisë një rol edhe më të madh në tregjet globale financiare. /Express/