Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, teksa raportonte paraditen e sotme në  Komisionin e Ekonomisë, në mungesë të deputetëve të opozitës ka dhënë lajmin e mirë për pensionistët. Sipas tij, këtë vit paketa e solidaritetit është e konsoliduar në buxhet me një shifër konkrete.

Ai ka njoftuar se në fund të vitit pensionistët do të përfitojnë 5 mijë lekë shpërblim.

“Në mënyrën se si e afrojmë paketën e solidaritetit nuk ka asnjë lidhje me vitin elektoral. Shikoni kohën kur ne japim bonuese ndërkohë që ata e kanë dhënë vetëm në vite elektorale. Paketa e solidaritetit është kthyer në standard dhe kjo është arsyeja pse e kemi sjellë të konsoliduar në buxhet me shifër konkrete për të garantuar ata që përfitojnë se qeveria ka vëmendje totale të qytetarët”- tha Ahmetaj.