Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka marrë vendim që kompanisë së sigurimit “Insig”, degës në Kosovë, t’i revokohet licenca e lëshuar në vitin 2002 nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës, paraardhëse ligjore e BQK-së.

“Kompania e Sigurimit  “Insig” SH.A., Dega Kosovë, ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës”, thuhet në njoftimin e Bankës Qëndrore të Kosovës.

BQK thotë se në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për të sanuar gjendjen financiare të Kompanisë së Sigurimit “Insig”.

Megjithatë, përkundër gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, Bordi dhe Menaxhmenti i Siguruesit nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të kompanisë. Në të njëjtën kohë, aksionari i kompanisë së sigurimit “Insig” Dega Kosovë nuk ju ka përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi.

“Mungesa e gatishmërisë së aksionarit për të plotësuar kërkesat e kapitalit ka vënë në rrezik serioz kapacitetet e kompanisë për të përmbushur detyrimet ndaj të siguruarve dhe kreditorëve të tjerë. Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për BQK-në dhe Ligji për Sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës së kompanisë”, thuhet në njoftim.

BQK-ja ka hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm, sipas Kapitullit 18 të Ligjit nr. 05/L-045 për Sigurimet duke emëruar Likuidatorin, i cili do të drejtojë Kompaninë e Sigurimit në Likuidim “Insig” dhe do të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë, gjithmonë në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, ndaj të gjithë kreditorëve. Me emërimin e Likuidator, pushojnë të gjitha përgjegjësitë e Administratorit, të Bordi Drejtues dhe Menaxhmentit të Kompanisë në raport me menaxhimin e Kompanisë.

Likuidatori do të jetë në dispozicion të shqyrtimit të të gjitha kërkesave,  në radhë të parë të policëmbajtësve, si dhe kreditorëve të tjerë. Likuidatori do të raportojë në baza mujore në BQK lidhur me mbarëvajtjen e përmbushjes së detyrimeve ndaj kreditorëve. Në të njëjtën kohë likuidatori gjithashtu do të njoftojë më detajisht të gjithë kreditorët dhe palët e tjera me interes lidhur me mënyrën e komunikimit dhe do të siguroj kontakte të telefonit, emailit dhe lokacionin për paraqitjen e të gjitha kërkesave të policëmbajtësve dhe kreditorëve të tjerë.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës  udhëzon të gjithë policëmbajtësit dhe kreditorët e tjerë që të përcjellin njoftimet në ditët në vijim nga Likuidatori dhe BQK-ja lidhur me udhëzimet mbi procesimin e kërkesave që kanë në raport me Kompaninë e Sigurimit në Likuidim “Insig”.

BQK-ja, në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara nga Ligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera përkatëse që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve financiare, do të vazhdojë aktivitetet e saj për të siguruar përputhje të plotë të veprimtarisë së institucioneve financiare me kërkesat e përcaktuara nga ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ruajtja e aftësisë së institucioneve financiare për të përmbushur detyrimet financiare ka një rëndësi shumë të madhe për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend, që paraqet edhe objektivin primar të BQK-së.