Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sërish ka treguar progres të rëndësishëm në rangimin global të universiteteve dhe kolegjeve të Webometrics.
 

Në këtë rangim, të cilit i nënshtrohen më tepër se 12.000 universitete nga mbarë bota, Universiteti publik me i rëndësishëm i Kosovës për një kohë relativisht të shkurtër ka lëvizur në pjesën më të lartë të renditjes së universiteteve botërore.Katër vite më parë Universiteti i Prishtinës zinte vendin e 4,937 në këtë ranglistë, ndërkaq këtë vit UP-ja u ngjit në pozicionin e 2,429.

 

 

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, e sheh këtë lëvizje pozitive në rangimin e Webometrics si rezultat të reformave të fundit në këtë institucion. “Edhe pse UP-ja ka shumë punë derisa të mund të konsiderohet si njëri ndër më të mirët në botë, është kënaqësi të shohësh këtë progres, i cili konfirmon përpjekjet tona për reforma në vitet e fundit,” tha ai. Një reformë e rëndësishme të cilës UP-ja ia atribuon ngritjen në këtë rangim është zhvillimi i sistemit hulumtues të bazuar kryesisht në praktikat e universiteteve publike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një ndihmesë të madhe në këtë drejtim e ka dhënë Programi i Transformimit të Lidershipit – Bursave dhe Partneriteteve – projekt i përbashkët i USAID-it dhe Qeverisë së Kosovës.

 

 

Sikurse në pothuajse të gjitha universitetet amerikane, UP-ja tani ka themeluar dhe funksionalizuar Zyrën për Projekte dhe Programe të Sponsorizuara (ZKPS), e cila e ka për detyrë që t’i mbështetë hulumtuesit në përpjekjet e tyre për të fituar grante dhe në menaxhim të fondeve për hulumtime shkencore nga jashtë. Ngritja e hulumtimit shkencor në nivel të njësive akademike ndikon drejtpërdrejt në rangimin e UP-së jo vetëm në Webometrics, por edhe në ranglista të tjera të universiteteve. Webometrics në mënyrë unike përdor analizimet e linqeve, të cilat ata citojnë për të ofruar një vlerësim më kualitativ, i cili konsiderohet si mjet më i fuqishëm sesa analiza e citimit ose anketat globale.