Përpjekje për të mashtruar qytetarin po konsiderohet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), deklaratat e kompanisë turke KEDS / KESCO lidhur me mungesat e shpeshta të energjisë elektrike në vend
 

Përpjekje për të mashtruar qytetarin po konsiderohet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), deklaratat e kompanisë turke KEDS / KESCO lidhur me mungesat e shpeshta të energjisë elektrike në vend

Madje në një reagim për media KEK-u ka thënë se furnizimi me energji elektrike prej 24 orëve ka qenë pikërisht arsyeja përse është privatizuar distribucioni, prej të cilës përgjegjësi po tenton t’i ikën KEDS-i

“Ndryshe, siç e kemi cekur edhe më herët pikërisht për të pasur rrymë 24 orë është privatizuar distribucioni. Përfundimisht qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mashtrohen me deklarata për media që lëshohen nga KEDS / KESCO duke raportuar se sa janë kapacitetet prodhuese të termocentraleve të KEK-ut”, thuhet në deklaratën për media.

KEK-u ka sqaruar se furnizimi me energji elektrike nuk është përgjegjësi e saj, por sipas tyre kjo përgjegjësi bie mbi KEDS-in. Thonë se në vend që të bëhen përpjekje për ta rregulluar gjendjen e energjisë elektrike, kompania turke po tenton t’i mashtrojë konsumatorët.

“Pra, KEDS/KESCO në bazë të licencës dhe kontratave me konsumatorët, siç parashihet me ligj, e ka obligim furnizimin e qytetarëve pandërprerë me energji elektrike, pavarësisht sa janë kapacitetet prodhuese vendore, pra të KEK-ut. Këtë e ka sqaruar qartë para pak ditësh edhe institucioni shtetëror që rregullon këtë treg, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE)”.

“Sjellja e KEDS/KESCO, duke tentuar të manipulojë opinionin publik, përveç se po shkel rregullat e tregut, po bën edhe veprime aspak korrekte dhe jo profesionale në raport me përgjegjësitë dhe obligimet që ka edhe ndaj KEK, si kompani kontraktuale”, thuhet në komunikatën për media.

Kompania Çalik e Limak Holding, e cila e kishte blerë për 26.3 milion euro distribucionin e energjisë elektrike në Kosovë, përveç që nuk ka siguruar rrymë 24 orë siç është e obliguar, vazhdimisht është përfshirë në skandale.

Skandalet ndër vite të kompanisë famëkeqe KEDS

Skandalet e saj kanë prekur drejtpërdrejtë qytetarët e vendit. Sot KEDS paralajmëroi se rrymën e importuar me çmim katër fish më të shtrenjtë do t’ua faturoj atyre.

17 tetori i vitit 2012 ishte cilësuar si ditë e rëndësishme për të ardhmen energjetike të Kosovës nga Besim Beqaj në atë kohë në cilësinë e kreut të Komitetit Qeveritar të Privatizimit. Ai problemin me furnizim me energji elektrike e konsideronte të kryer, ani pse edhe pas gjashtë viteve problemi është i njëjtë, madje edhe më i kushtueshëm.

Beqaj pas nënshkrimit të kontratës për privatizimin e distribucionit kishte folur për të ardhme të suksesshme të sistemit energjetikë të Kosovës, e ardhme kjo që nuk erdhi asnjëherë.

Kishte përmendur tri pika të rëndësishme, por asnjëra prej tyre nuk është realizuar. Të gjitha deri më sot kanë rezultuar të jenë të pavërteta.