Shkencëtarët janë të vendosur që ta ndryshojnë mënyrën e përcaktimit të kilogramit si njësi matëse e peshës. Aktualisht, kjo njësi është e përcaktuar nga një bllok platini, i quajtur “Le Grand K”, i cili ruhet në një kasafortë në Paris
 

Shkencëtarët janë të vendosur që ta ndryshojnë mënyrën e përcaktimit të kilogramit si njësi matëse e peshës. Aktualisht, kjo njësi është e përcaktuar nga një bllok platini, i quajtur “Le Grand K”, i cili ruhet në një kasafortë në Paris

Pritet që shkencëtarët të votojnë për ta ndryshuar këtë fakt, me qëllim që kilogrami të përcaktohet në bazë të një ngarkese elektrike. Ky vendim pritet të merret në Konferencën e Përgjithshme për Peshat dhe Matjet, e cila do të mbahet në Paris.

Sidoqoftë, disa shkencëtarë, si Purdey Williams, i cili punon në Laboratorin Kombëtar të Fizikës në Britani të Madhe, kanë ndjenja të përziera. “Nuk kam qenë pjesë e këtij projekti për një kohë të gjatë por e ndiej një lidhje të çuditshme me kilogramin. Jam pak i mërzitur për këtë, por është e rëndësishme që sistemi i ri do të funksionojë shumë më mirë. Nuk po më pritet që ta marrim vendimin për këtë ndryshim”, tha ai.

“Le Grand K” ka qenë baza e sistemit ndërkombëtar të matjes së peshës që nga viti 1889. Sidoqoftë, ditët e tij janë të numëruara. Pesha e tij ka ndryshuar me kalimin e viteve sepse ka nisur të shkatërrohet. Në një botë ku matjet e sakta janë në gjendje kritike në shumë fusha, përfshirë industrinë e ilaçeve, teknologjinë e mikrogrimcave dhe makineritë e saktësisë, përgjegjësit e këtyre matjeve synojnë që ta përcaktojnë prerazi definicionin e kilogramit.

Sistemi i ri i matjes së peshës do të mbështetet në një lidhje të drejtpërdrejtë mes peshës dhe elektricitetit. Në parim, shkencëtarët do të mund ta përcaktojnë njësinë e kilogramit dhe çfarëdo peshe tjetër përmes sasisë së elektricitetit që nevojitet për t’iu kundërvënë forcës, shkruan BBC.