Autoriteti Irlandez i Aviacionit po i heton raportet nga pilotët e avionëve të cilët po thonë se kanë vërejtur një objekt të paidentifikuar duke fluturuar mbi Irlandë.
 

Autoriteti Irlandez i Aviacionit po i heton raportet nga pilotët e avionëve të cilët po thonë se kanë vërejtur një objekt të paidentifikuar duke fluturuar mbi Irlandë.

Një pilot i fluturimit BA94 të British Airways, që po fluturonte nga Montreal, kontaktoi kontrollin e trafikut ajror në Shannon të premten e kaluar për të raportuar se kishin parë një objekt duke fluturuar shumë shpejtë pranë aeroplanit.

Piloti pyeti nëse kishte ndonjë stërvitje ushtarake pranë bregdetit perëndimor të Irlandës. Më pas, piloti u informua se nuk kishte asnjë stërvitje ushtarake në atë zonë, thuhet në bisedën e incizuar nga Airlive, një uebfaqe për fansat e aviacionit, shkruan Euronews.

Kontrolli i trafikut ajror tha për gazetën Irish Times se asgjë nuk ishte shfaqur as në radarin e parë, as në të dytin. Piloti tha se objekti dhe aeroplani nuk do të përplaseshin, por që u habit se çfarë mund të ishte objekti.

Një pilot i Virgin Airlines që po fluturonte nga Orlando në Mançester, që fluturoi në të njëjtin rajon, tregoi ngjarjen e njëjtë dhe tha se spektakli që pa dukej si një meteor i ndritshëm ose si një tjetër objekt me ndriçim të madh.

Autoriteti Irlandez i Aviacionit tha për Irish Times se janë duke e hetuar incidentin. Dr. Chris Lowe, një ekspert skeptik dhe entuziast i UFO-ve, tha për Euronews.

“Në të gjitha rastet, është meteor ose pjesë të tjera të mbeturinave të hapësirës që ri-hyjnë në atmosferën e Tokës. Fakti që ishte i shpejtë, me ngjyra të ndezura dhe në një trajektore të këndit të ulët është tipike për këtë”.

Megjithatë, ai tha se disa aspekte të këtyre raporteve ishin të pazakonshme. “Një nga pilotët tha se objektet ndoqën rrugën e aeroplanit – por pastaj u zhdukën”.

“Kjo është e çuditshme, pasi në një situatë normale meteori do të mbante trajektoren e tij të pandryshuar – dhe nuk do ta ndryshonte atë në asnjë mënyrë”, shtoi ai.