Pikërisht këtu është problemi. Obligimi, familja është ngarkesë, është përgjegjësi, bëhet monoton, prandaj burrave u mërziten gratë, ndërsa grave u mërziten burrat, dhe kështu vazhdojnë të mbyllen në vetvete, ta sakrifikojnë veten për hir të traditës, për hir të fëmijëve.

Këtu është madhështia e njeriut nëse arrin të pajtohet me realitetin e vet, dhe të kërkojë rrugë që ta transformojë obligimin, ta transformojë përgjegjësinë, ankesat, problemet në dashuri. Atëherë ti je i lirë, ti je vetvetja, kjo nuk është lehtë, por është e mundshme.

Personat e tillë janë hedonistë, altruistë. Këta persona krijojnë një mekanizëm i cili nxit qëndrimet që kërkojnë sakrifica të përkohshme për të pasur shpërblim më afatgjatë, për individin, përkujdesja për njerëz të tjerë, përkujdesja për prindërit.

Të tillë janë hedonistët, gjërat që duhet të quhen me vlerë në vetvete janë kënaqësia e lumturia, të cilat nxisin kërkesën morale dhe se ata mund të parapëlqejnë ta sakrifikojnë të ardhmen e tyre në të mirë të të tjerëve e për hir të tyre, duke bërë hedonizmin të ngjashëm me egoizmin.

Dashuria e lirë kërkon që të jetë me një njeri gjithnjë më shumë, thellë e më thellë. Nëse ti mund të jesh një Don Zhuan dhe të joshësh, të shtiesh në dorë një femër tjetër për çdo ditë, ti e ndjen veten shumë të aftë, shumë pushtues. I thua vetes unë jam i pari, unë jam mbret. Por ti nëse dorëzohesh, askush nuk ti hedh sytë, asnjë grua tjetër nuk të jep rëndësi, ti je i dorëzuar. Këta persona vërehen larg, dallohen larg si gratë ashtu edhe burrat nëse janë të martuar, duken aq të molisur e të pashpresë.

Ti mund ta dallosh nga larg çiftin nëse janë të martuar. Nëse ata nuk janë të martuar, por janë në lidhje, kjo vërehet qartë, ngase në fytyrat e tyre sheh hare, sheh gëzim, sheh lumturi, ata kënaqen me njëri-tjetrin. Ti je i dalluar, ti je i suksesshëm, sepse ti nuk je njeri i zakonshëm. Ti e ndjen veten të nevojshëm për të gjithë, kjo nevojë nuk të lejon të bëhesh i vetmuar, vetmia jote është në vetveten tënde.

Të ndryshëm janë njerëzit, disa kërkojnë nëpërmjet pasurisë t’i realizojnë ëndrrat e tyre. Dikush nëpërmjet pasurisë dëshiron të bëhet i rëndësishëm, ai dëshiron të jetë dikushi, mirëpo askushi mbetet askushi. Nevoja e egos së tij është e padobishme, por edhe e dëmshme, kërkesat e egos janë të pafundme, të bëjnë të çmendesh.

Asnjëherë nuk mund të bësh të të kënaqin ëndrrat. Njerëzit, të cilët mund të jetojnë me vetveten, dhe sikur me ta të jetë gjithë bota, ata mund të kënaqen me veten, ata ndihen rehat dhe të lumtur me vetveten.

Frojdi ka një përcaktim: Polimorfizëm, fëmija i vogël kënaqet me veten, ai loz me veten e vet, ai është autoerotik, ai kur kërkon gjirin e nënës e thith edhe gishtin e vet. Fëmija është i mirë, i bukur, sepse ai nuk ndërhyn, nuk i interesojnë mendimet tuaja.

Të gjithë fëmijët janë të bukur dhe të mirë, por nga edukata fillojnë pak nga pak të bëhen si prindërit. Është shumë vështirë të gjesh një plak të bukur, është shumë vështirë të gjesh një fëmijë të shëmtuar.