Detektivi holandez për vepra artistike Arthur Brand ka thënë se e ka gjetur pikturën e Pablo Picassos, e cila ishte vjedhur nga një jaht saudit në Francë, transmeton Anadolia.

Brand ka deklaruar të martën se para dy javëve e ka marrë pronësinë e pikturës “Portreti i Dora Maar” apo “Busti i Gruas” nga viti 1938 pasi me vite i ka përcjellë gjurmët e saj në Amsterdam.

Brand, një detektiv i njohur, ka theksuar se e ka dorëzuar pikturën në shtëpi të sigurimit.

Vlera e “Portretit të Dora Maar” është vlerësuar në 25 milionë euro. Brand ka pretenduar se e ka ditur se bëhet fjalë për veprën origjinale të Picassos menjëherë pasi e ka marrë portretin në duar.

“E dini se është Picasso sepse ekziston një magji që del nga ajo”, ka thënë Brand.

Në mes të zbulimeve të mëparshëm të Brandit është edhe qifti i kuajve të bronztë të krijuar për enkas Adolf Hitlerin.