"Pasha gjyshen, çiken duhet me e rreh, 3 here ma shumë se djalin"

Femra, krijese e mbështjellur me butësi dhe brishtësi, me ndjenjësi të butë e të dashur,  fatkeqësisht, asnjëherë gjatë historisë, në vendin tonë nuk e ka gëzuar respektin e saj të merituar, çdo herë është shfrytëzuar natyrshmëria e butë kundër  qenies se saj, duke u nisur nga vetë ajo,  familja rrethi e deri tek ligjet e vendit.

Qasja diskriminuese padyshim fillon nga ardhja  në jetë ku është e njohur fraza "qoftë e hajrit", e cila ka qenë zakon të përsëritet, sa herë që dikujt i ka lindur vajzë, sikur mbi atë krijesë të sapo  ardhur në jetë e kanë hedhur barrën e cilitdo problem shoqëror.

Derisa ajo rritej, çdo ditë duhej t'ia kujtonin se është vajzë, se një ditë do të bëhet gruaja e dikujt, sikur dëshironin t'ia mbillnin brenda trurit idenë se ti je pronë dhe do të jesh prone, por jo e vetvetes.

Ishte në pozitë inferiore në çdo pikëpamje!

Është e njohur këshilla e plakave të familjeve patriarkale: "pasha gjyshen, çiken duhet me e rreh tri herë më shumë se djalin sepse ajo bëhet nuse e dikujt dhe ta merr ftyren".

Martesa: mund të përmblidhet nga vetëm një akt i zakonit; "rob i yti, e gjak i jemi", fjalë që është thënë nga burrat e mëdhenj të fisit kur është dhënë leja për dasmë, dasmë e cila realizohej pa pajtueshmerinë e vajzave, me çka nënkuptohet se ajo është dhënë si mjet në shfrytëzim.

Femra shqiptare fatkeqësisht është shtypur në emër të secilit botëkuptim, përfshirë edhe atë nga më të dashurit e saj, si vajzë, si nuse dhe si nënë, dikur ka jetuar një frazë tjetër që gjithashtu është promovu nga vetë femrat: "ruaje vajzë vajzërinë, nuse nusërinë dhe plakë pleqërinë". Sipas së cilës ajo duhet tê jetoj duke u ruajtur gjatë gjithë jetës.

Fatkeqësisht, kjo rrjedhë vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe ajo  jeton në lëvozhgën e inferioritetit dhe humbjes së vlerave që posedon, madje, ndoshta edhe më keq nga sa trajtohej dikur në kohen e kanunit. Aso kohe ajo nuk gëzonte të drejtën e lirisë  së fjalës dhe veprimit por, për nderin e saj shkrepej plumbi, përderisa sot, cenohet nderi dhe vlerat e saj duke u bërë mjet në cilëndo fushë, madje duke u ekspozuar edhe në reklamat televizive përmes të cilave synohet të rritet shitja e materialeve ndërtimore.

Po, me të vërtetë, sot kemi zëra të shumtë që synojnë të ndërrojnë statusin e femrës shqiptare në shoqëri por, jo karshi natyrës së femrës, ku ajo duhet të inkuadrohet me kontributin e saj në cilindo institucion dhe si e tillë edhe të vlerësohet dhe të shihet si një thesar, si një forcë për ndryshime pozitive, por gjithnjë duke iu referuar mundësisë dhe natyrës së saj, jo të mundohemi të kalojmë nga një ekstrem në tjetrin dhe të  veprojmë ashtu që, në emër të barazisë, gruan ta punësojmë  në miniera si minatore  e burrin në sallone të "manikyrit dhe pedikyrit" sepse askush nuk mund të bartë më tepër se sa i durojnë kockat.

Duhet të mbjellim te gjithësecili mendimin se, ne jemi ndryshe,  por të barabartë. Gruaja është, themeli, bazamenti i një shiqërie të sigurt, andaj, cilado shoqëri që synon të ketë vlera dhe dinjitet, duhet të investoj në emancipimin, edukimin  dhe ngritjen e femrës.

Bashkë e kemi formuar shoqërinë dhe duhet bashkë t'ia ruajmë vlerat, dashuria, respekti, mirëkuptimi, por edhe urrejtja, shperfillja, injorimi  janë si energjia përcjellen.

Ganimete Ademi

Sociologe