Besim Xhelili vjen nga Tetova dhe tash e 20 vjet jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë. Ka të botuar 7 libra me poezi dhe romanin e tij të parë “1803”, botuar në shqip në vitin 2016, kurse në janar të vitit 2018 edhe në gjuhën gjermane dhe atë suedeze.

Me këto dy tituj të rinj ai sjell te lexuesit poezi të vrullshme, lirika pasionale dhe ndjenja të një zemre të lënduar. Herë-herë poezinë e tij e përshkojnë edhe çaste gëzimi, mirëpo në përgjithësi tek krijimet e tij vërehet mbizotërimi i dhembjes, mallit, lotit, mërzisë, mungesës, harresës e shembjeve të forta shpirtërore. Vetë titujt e librave tregojnë lëngimet e një zemre të dalldisur, e mbetur në vetmi dhe me vragë të pakalueshme malli.

Recensent i të dy titujve është kritiku i mirënjohur Prend Buzhala, kurse redaktimet i kanë bërë Hasan Qyqalla dhe Ejup Ajdini. Me një vështrim në të dy librat na paraqitet kritikja e mirëfilltë, Migena Arllati.

“Pavdekësia e dashurisë, e personifikuar te sytë, shfaqet si sonatë e përkryer. Përkryerja dhe pavdekësia janë etimoni shpirtëror i jetës përgjithësisht, dhe i artit lirik, në veçanti. Poeti gjithnjë gjendet në kërkim të dashurisë. Në një kërkim të përgjithmonshëm. Situatat emocionale të këndimit të kësaj ndjesie, janë të shumta: qetësi dhe trazim, lektisje dhe mall, fshehtësi dhe magji, mister dhe mërzi, gëzim dhe hidhërim, por edhe meditime e reflektime që nuk prajnë”, shprehet recensenti Buzhala.

“Poezitё e para nё vёllim jorastёsisht u kushtohen syve, pasi me sa duket poeti njёjtёson mendimin e tij me thёnien: “Sytё janё problem i vёrtetë, ato flasin edhe kur nuk duhet”. Nёn efektin e njё vёshtrimi depёrtues, njё buzёqeshjeje tё heshtur dhe tё njё ndjenje tashmё tё ndaluar, ai mundohet tё marrё e tё japё ҫ’tё mundet nga vetvetja, vetёm e vetёm qё tё ketё nё zotёrim njё zemёr qё e do, por qё pёr fat tё keq, e refuzon. Tashmё kjo ndjenjё e ka pushtuar dhe ai prej kohёsh pёrpёlitet nё pёrsiatje pafund, me shpresё se megjithatё diҫka do tё arrijё tё bёjё, nёse jo kthimin e dashurisё, tё paktёn pёrjetёsimin e ndjenjёs sё shpirtit tё tij tё brishtё”, shprehet Migena Arllati.