Edhe një libër i ri për Hashim Thaçin si protagonist të luftës dhe paqes në Kosovë është nxjerrë këto ditë në tregun ndërkombëtar.

Libri “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës”, me autor Jacques Baudouin dhe parathënie të shkruar Bernard Kouchner, tashmë ka dalë në shitje online në Amazon.

Nga ajo që mund të lexohet online, në këtë libër me protagonist presidentin e vendit, Hashim Thaçin, përshkruhen ngjarjet e korrikut 1999, ku pas njëmbëdhjetë javëve të bombardimeve, Sllobodan Millosheviq kapitullon dhe braktis Kosovën.

“U deshën vite të aparteidit, 13,000 të vrarë dhe gati një milion refugjatë që shteti i fundit që lindi pas luftërave të ish-Jugosllavisë të çlirohej nga Serbia. E vendosur nën administrimin dhe protektoratin e Kombeve të Bashkuara, një demokraci e re u instalua në zemër të Ballkanit. Dhjetë vjet më vonë, në shkurt 2008, me rekomandimin e Kombeve të Bashkuara, Kosova u bë një shtet sovran, si rezultat i një lufte të një populli të tërë, figura kryesore e të cilit është Hashim Thaçi. Shefi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më pas kryeministër, ishte ai që e trasoi rrugën drejt pavarësisë. Demonstratat e para në Prishtinë më 1988, masakra e Reçakut, bisedimet e Rambujesë, negociata midis amerikanëve, evropianëve dhe rusëve, ky libër pasqyron shkaqet historike dhe politike që çuan në pavarësinë e Kosovës. Libri rikujton se demokracia kosovare është gjithashtu një sukses i Kombeve të Bashkuara dhe se ajo mbetet e një rëndësie të madhe për paqen në Evropë”, thuhet në përshkrimin e këtij libri, në versionin online në Amazon.

Autori i këtij libri, Jacques Baudouin, ishte këshilltar i ish-Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kouchner.

Baudouin është autor edhe i shumë librave të tjerë dhe në versionin online, libri “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës” po shitet për 22 euro.

Një biografi tjetër e shkruar nga gazetarët britanikë Roger Boyes dhe Suzy Jagger për presidentin Thaçi, me titullin “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography”, muaj më parë kishte prodhuar mjaft debat në Kosovë.

Edhe gazeta zvicerane, Neue Zürcher Zeitung kishte reaguar me një shkrim të ashpër ndaj Thaçit, duke e goditur për librin biografik, të cilin shefi i shtetit po e promovonte nëpër qendra botërore. NZZ shkruante se Thaçi këtë libër e ka porositur nga frika e Gjykatës Speciale dhe në përpjekje për të përmirësuar imazhin e tij të dëmtuar.