Pas prezantimit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, Eliza Hoxha ka sjellë librin “Qyteti është kudo”, duke iu referuar historisë së Prishtinës të viteve të 90-të.

Ky projekt gjeti përkrahje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me ç’rast ministri Kujtim Gashi tha se ky libër paraqet një storie të suksesshme të pjesëmarrjes së Kosovës në një nga ngjarjet më të rëndësishme në botë.

“Duke marrë shkas nga përfaqësimi i dinjitetshëm e tejet serioz i shtetit tonë në Bienalen e Venedikut, dua të theksoj se me prezencën e saj në skenën kulturore e artistike ndërkombëtare në këto vitet e fundit, Kosova ka dhënë shembullin më të mirë të suksesit në bërjen e diplomacisë kulturore. Duke qenë se Kosova në vazhdimësi ka prodhuar lajme për sukseset e artistëve tanë kudo në botë, kjo ka ndihmuar edhe në forcimin e subjektivitetit të shtetit tonë si dhe në krijimin e një imazhi të mirë për Kosovën”, ka thënë Gashi.

Kurse kuratorja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, Eliza Hoxha, ka thënë se kanë dashur të krijojnë një pasqyrë për Kosovën e viteve të 90-ta.

“E kemi bërë një libër që sjellë copëza rrëfimesh nga vitet e 90-ta. Libri është platformë që sjellë ide dhe përjetime të ndryshme, qoftë personale që mund të shërbejnë si bazament për ata që duan të hulumtojnë më tutje për vitet e 90-ta”, ka thënë Hoxha.

Pos kuratores Hoxha dhe ministrit Gashi, pjesë e panelit ishin edhe arkitektja Ardita Byci, Jehona Shyti dhe sociologia Linda Gucia.