Kosova është duke pritur tash e disa vite që të pranohet në garën e këngës evropiane “Eurovision Song Contest”.

Rrjeti i Transmetuesve Evropian (EBU), i cili organizon festivalin, këtë të enjte do ta mbaj Asamblenë e Përgjithshme, e cila mbahet dy herë në vit, ku edhe pritet të votohet për ndryshimin e statusit për shtetet të cilat duan të bëhen anëtare të EBU-së, shkruan Magazina.al

Në një përgjigje për Magazina.al, EBU ka konfirmuar se më 27 qershor do të votohet për kriteret e reja të anëtarësimit, ku në rast se këto ndryshime të statusit marrin votat e nevojshme, RTK-ja do të mund të aplikoj për anëtarësim dhe në Asamblenë e Përgjithshme të dhjetorit të votohet për pranimin e Kosovës në EBU.

“Një votim do të mbahet në Asamblenë tonë të Përgjithshme më vonë këtë javë mbi kushtet e reja për Anëtarësimin në EBU. Nëse Asambleja e Përgjishme voton për të ndryshuar kriteret për anëtarësim, RTK-ja duhet të aplikojë zyrtarisht sipas rregullave të reja. Një vendim mbi Anëtarësimin është i mundur pastaj në Asamblenë e dhjetorit”, thuhet në përgjigjen e EBU-së për Magazina.al

Nga kjo kuptohet që Kosova do ta ketë të vështirë pjesëmarrjen në Eurovisionin e vitit të ardhshëm, i cili mbahet në Holandë, pasi sipas rregullave, EBU publikon listën e shteteve pjesëmarrëse në fund të dhjetorit dhe RTK veshtirë se do të kap afatet kohere edhe nëse votohet për anëtarësimin e saj në fund të këtij viti.

Por egziston edhe mundësia që në rast të pranimit të RTK-së në EBU në Asamblenë e dhjetorit, Kosova të ftohet më pas në Eurovision nga Holanda si shtetet organizator, pasi afati i fundit për zgjedhjen e këngëve pjesëmarrëse të Eurovisionit është 15 marsi.

Kujtojmë se statusi i tanishëm i EBU-së për anëtarësim, thotë se vetëm shtetet të cilat janë anëtare në ITU (Rrjeti I Ndërkombëtar i Telekomunikacionit) ose Këshillit të Evropës mund të bëhen anëtare në EBU dhe të marrin pjesë në Eurovision.