Ditë më parë në Radio Televizionin Shqiptar janë transmetuar këngë të këngëtares serbe Ceca të cilat nuk janë pritur mirë nga publiku.

Autoriteti i Media Audiovizive (AMA), i ka tërhequr vërejtjen RTSH-së, për transmetimin e këngëve të këngëtares serbe, shkruan GazetaBlic.

“Ditën e shtunë në kanalin RTSH 2 gjatë orarit të transmetimit me muzikë në gjuhën e pakicave u transmetuan këngë të këngëtares serbe Ceca, e cila i është bashkuar disa herë publikisht zërave antishqiptarë për Kosovën. Autoritetit të Medias Audiovizive i janë drejtuar një sërë ankesash lidhur me këtë transmetim, dhe pas vlerësimit të rastit RTSH-së i është tërhequr vëmendja për evitimin e rasteve të tilla që krijojnë ndjeshmëri negative tek ndjekësit e programeve të transmetuesit publik”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, AMA i kujtojn RTSH-së, koncertin e mbajtur në veri nga këngëtarja, i cili ishte me mesazhe politike kundër Kosovës.

“Vetëm pak muaj më parë Ceca ishte në një koncert në pjesën veriore të Mitrovicës, në një performancë artistike të kombinuar me mesazhe politike kundër qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Për AMA, programi dhe hapësira për pakicat në RTSH që i shërben miqësisë dhe solidaritetit mes popujve dhe kulturave dhe nuk duhet të promovojë figura që me angazhime konkrete kanë treguar dhe tregojnë të kundërtën”, thuhet në reagimin e AMA-s.