Të paktën 34 persona janë vrarë, dhe 17 të tjerë janë plagosur, kur autobusi me të cilin po udhëtonin u godit nga shpërthimi i një bombe të vendosur në rrugë.

Shpërthimi ndodhi në provincën perëndimore Farah në Afganistan.

Zëdhënësi i policisë, Mohibullah Mohib, tha se autobusi po udhëtonte në autostradën Kandahar-Herat kur u godit nga një “bombë talibane”, e vendosur anash rrugës.

Sediq Sediqi, një zëdhënës i qeverisë në Afganistan, gjithashtu fajësoi militantët talibanë, të cilët nuk e konfirmuan menjëherë, se ishin autorët e vendosjes së mjetit shpërthyes.

 

Militantët talibanë kontrollojnë një pjesë të madhe të Afganistanit, dhe i kanë intensifikuar sulmet ndaj zyrtarëve qeveritarë dhe forcave afgane.

Komuniteti ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet e Bashkuara janë duke bërë përpjekje që përmes negociatave të bindin palët të arrijnë një marrëveshje, që do t’i jepte fund luftës gati 18 vjeçare në Afganistan.