Kryeministrja e Hong Kongut, Carrie Lam u ka kërkuar protestuesve që të mos e shtyjnë qytetin drejt “humnerës”, teksa ka bërë një fjalim emocional para publikut.

Porosia e Lam për protestuesit: Mos e shtyni qytetin drejt humnerës

Sipas saj Hong Kongu “ka arritur në një situatë të rrezikshme” dhe se dhuna do ta “shtynte në një rrugë pa kthim”.

Lam me lot në sy u ka bërë thirrje të martën protestuesve që të lënë anash dallimet.

“Ndaluni për pak, shikoni qytetin tonë, shtëpinë tonë, a dëshironi ta shihni drejt humnerës?”, është cituar të ketë thënë ajo sipas agjencisë së lajmeve, AFP.

Shprehja e pakënaqësive në Hong Kong ka hyrë në javën e dhjetë dhe nuk është duke treguar ndonjë shenjë të përmirësimit.

Protestuesit fillimisht kanë nisur marshet kundër një ligji të propozuar për ekstradim, i cili më pas është pezulluar.

Megjithatë, ata kanë vazhduar protestat pro-demokratike, meqë janë të frikësuar për liritë e Hong Kongut, nën udhëheqjen aktuale të Kinës.

Pavarësisht raportimeve për dhunë të policisë ndaj protestuesve, liderja e Hong Kongut ka mbrojtur veprimet e policisë, duke thënë se zyrtarët policorë janë “në kushte jashtëzakonisht të vështira”.

Një ditë më parë, lideri i Senatit amerikan, republikani, Mitch McConnell, ka paralajmëruar Kinën, se çfarëdo veprimi i dhunshëm ndaj protestuesve në Hong Kong do të konsiderohet “absolutisht i papranueshëm”.

“Njerëzit e Hong Kongut janë ngritur me guxim ndaj Partisë Komuniste Kineze, teksa Pekini synon t’ua shkelë autonominë dhe lirinë”, ka thënë ky senator përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

“Secili veprim i dhunshëm është i papranueshëm. Bota është duke shikuar”, është shprehur ai.

Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës mirëpo ka më shumë autonomi, meqë funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”.