Talibanët njoftuan se kanë nisur ofensivën pranverore të sulmeve, pavarësisht përgatitjeve që po bëhen për një takim të madh, ku do të diskutohen mënyrat për t'i dhënë fund luftës gati 18-vjeçare në Afganistan.

Talibanët shpallin ofensivën pranverore të sulmeve

Në një deklaratë të lëshuar në pesë gjuhë, përfshirë anglishten, talibanët thanë se luftimet do të vazhdojnë derisa forcat e huaja të mbeten në Afganistan.

Deklarata vjen pasi një zëdhënës i talibanëve tha se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka hequr përkohësisht sanksionet kundër anëtarëve të ekipit negociues të grupit militant.

Ky njoftim nuk u konfirmua në mënyrë të pavarur.

Në fund të javës së ardhshme, përfaqësues të Qeverisë afgane dhe të militantëve talibanë pritet të takohen në Katar për bisedimet për paqe.

Shumica e 14 anëtarëve të ekipit negociator taliban janë nën sanksione. 

Talibanët, deri më tash, kanë biseduar vetëm me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, duke i konsideruar ata si “armiqtë” kryesorë. 

Militantët kanë refuzuar të bisedojnë me Qeverinë në Kabul, pasi, sipas tyre, ajo është “kukull” e SHBA-së. 

Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë ushtarakisht në Afganistan në vitin 2001, pak kohë pasi militantë të lidhur me grupin terrorist Al Kaida kanë kryer sulme terroriste në tokën amerikane, duke vrarë mbi 3,000 njerëz. 

Ndërhyrja e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë të NATO-s ka rrëzuar talibanët nga pushteti në Afganistan, në vitin 2001. 

Misioni i NATO-s në Afganistan aktualisht ka 17,000 trupa – rreth gjysma e tyre nga Shtetet e Bashkuara. 

Bisedimet për paqe janë intensifikuar muajve të fundit, nën udhëheqjen e të dërguarit amerikan për Afganistanin, Zalmay Khalilzad.