Është në mandatin e tretë qeverisës dhe pranon se komuna që udhëheq ka jo pak probleme, megjithatë pohon se ka bërë punë të mëdha në infrastrukturën rrugore, shkollore, në shëndetësi e fusha tjera.

Fjala është për kreun e Kaçanikut, Besim Ilazi, i cili thotë se synimet kryesore të tij do të jenë realizimi i projektit të trajtimit të ujërave të zeza dhe përfundimi i hallës sportive, por jo vetëm.

Ilazi në një intervistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com), flet edhe për gjendjen në bujqësi, kulturë, gjendjen e lumit Lepenc dhe Nerodime, sa përkrahen nga niveli qendror e tema tjera.

 

Gazeta Lajm: Jeni në mandatin e tretë qeverisës. Sa keni arritur të përmirësoni mirëqenien në komunën e Kaçanikut?

Besim Ilazi: Po, tash jam në mandatin e tretë qeverisës. Si kryetar i Komunës jam i obliguar të siguroj mirëqenie për qytetarët e komunës, të krijoj kushte dhe ambient për hapjen e bizneseve, ndërsa detyrë e jonë është që nga mundësitë buxhetore që kemi të punojmë në përmbylljen e infrastrukturës rrugore, kanalizimit, ku mund të themi se jemi në përfundim, ndërsa edhe me kanalizim në bazë të mundësive jemi duke punuar.

Gazeta Lajm: Instituti GAP në vitin 2017-të ka gjetur jo pak probleme në këtë komunë. Ndër më madhoret; mungesa e ujësjellësit dhe menaxhimi me mbeturina. Është përmirësuar gjendja apo jo?

Besim Ilazi: Ne si komunë jemi duke punuar vazhdimisht në zhdukjen e këtyre problemeve. Sa i përket çështjes së ujësjellësit  jemi në përfundim të një projekti që përfshin 9 fshatra të komunës së Kaçanikut, kemi përmbyllur fazën e dytë në fshatin Glloboçicë, pastaj kemi ndërtuar rezervuarin e qytetit, na mbetet edhe ndërrimi i gypave të azbesit.

Te menaxhimi i mbeturinave, kemi hartuar një plan “Menaxhim të mbeturinave 2017-2021” në bashkëpunim me Demosin dhe jemi në realizim e sipër. Shqetësim për ne është mungesa e mjeteve te kompania regjionale sidomos transporti i mbeturinave gjë që jemi në hulumtim e sipër të fondeve për realizimin dhe blerjen e makinerive që është e domosdoshme edhe pse kemi një përmirësim të dukshëm dhe tani kur po flasim jemi ne përmbyllje e sipër në tenderin e shpërndarjes së kantave familjare që do ta zbut këtë dukuri shqetësuese për ne.

Gazeta Lajm: Po gjendja në infrastrukturën rrugore, shkollore, bujqësia, ndriçimi publik ?

Besim Ilazi: Deri më tani kemi përmbyllur të gjitha rrugët kryesore që qojnë nëpër fshatra dhe thuajse jemi në përfundim të rrugicave nëpër lagje e cila do e  lehtësoj jetën e qytetarëve në zonat rurale.

Sa i përket shkollave kemi ndërtuar tri shkolla të reja, dy anekse të shkollave dhe riparimin e dy shkollave të mesme dhe jemi në ndërtim e sipër të tri shkollave të reja në fshatin Glloboçicë, Kaçanik i vjetër dhe Kovaçec si dhe jemi në përmbylljen  e punimeve të një çerdhe të qytetit. Po shpresojmë që vitin e ardhshëm të kemi edhe tri shkolla të reja; shkolla fillore në fshatin  Doganaj, shkolla e mesme profesionale në Kaçanik edhe shkolla fillore ne fshatin Ivajë.

Sa i përket bujqësisë vazhdimisht jemi munduar të gjejmë forma të subvencionojmë bujqit dhe fermerët në komunën tonë, ku i kemi subvencionuar  me serra, mjedra, koshere të bletëve, fidanë të ndryshme, makina mjelëse pastaj me makineri për punimin e tokës, freza, dhe forma të tjera gjë që mendoj që ka ndikuar në zbutjen e kësaj gjendje.

Nëse flasim për ndriçim që nga viti i kaluar kemi filluar me zgjerimin e ndriçimit nga qyteti në periferi duke filluar nga lagjja Dushkaje dhe fshati Bob dhe një pjesë të brendshme të qytetit. Për vitin e ardhshëm kemi paraparë një rritje trefish të ndriçimit publik ku orientimi jonë do të jetë në qendrat  fshatrave të mëdha.

Gazeta Lajm: Nëpër Kaçanik kalojnë dy lumenj, lumi Lepenc dhe Nerodime. Si është gjendja e tyre?

Besim Ilazi: Është e vërtete që në komunën e Kaçanikut kalojnë dy lumenj Lepenci dhe Nerodimja  dhe bashkohen në dalje të qytetit, sa i përket komunës ka bërë një investim në rregullimin e koritës Lepenc dhe Nerodime diku në vlerë 700 mijë euro, kurse sa i përket ndotjes së këtyre dy lumenjve shqetësuese për neve është gjendja e lumit Nerodime për shkak të derdhjes së ujërave të zeza që vijnë nga komuna e Ferizajit që është një ndotës mjaft i madh për shkak të kapaciteteve prodhuese në Ferizaj  ku në lumin Nerodime  thuajse nuk ka asnjë gjallesë e sidomos në kohë të verës kur ujërat pakësohen për shkak të kundërmimit ku po ashtu është e  vështirë  jetesa në fshatrat si  Kaçaniku i vjetër, Stagovë dhe në Runjevë. Kurse sa  i përket lumit Lepenc ndotësin më të madh që herë pas here e bën fabrika për prodhimin e bllokave “Silcapor” që herë pas herë i derdh në lumin Lepenc mbetjet nga prodhimi i saj dhe meqenëse mbrojtja e lumenjve është në kompetencë të Ministrisë së Ambientit  dhe Planifikimit Hapësinor.

Ne vazhdimisht ju kemi drejtuar me shqetësimet tona paraprakisht me fotografi ku kemi paraqitur gjendjen momentale por deri më tani situata është e pandryshueshme.

Gazeta Lajm: Cilat janë projektet madhore që synoni t’i realizoni deri në fund të këtij mandati?

Besim Ilazi: Pas përfundimit të projektit madhor të qendrës së mjekësisë familjare që është donacion katër palësh, komunë, ministri, Zyra e Dukës së madhe Luksmeburgu dhe Caritasi i Luksemburgut në  vlerë 1.3 milionë euro, synimi im është përfundimi i hallës sportive me vlerë 14.5 milionë euro vitin e ardhshëm, pastaj faza e dytë e stadiumit të qytetit që kap vlerë milionëshe që po shpresoj të përfundojë në mandatin tim, pastaj synim kryesor i imi do të jetë fillimi për realizimin e trajtimit të ujërave të zeza.

Gazeta Lajm: Sa keni mbështetje nga niveli qendror, kur dihet se partia juaj është në bashkëqeverisje? Po ju përkrah mjaftueshëm kryeministri Haradinaja apo jo?

Besim Ilazi: Sa i përket mbështetjes së nivelit qendror, mund të themi që dy tri vitet e fundit ka pasur një qasje ndryshe në kuptimin pozitiv, ngase pikërisht nga mbështetja e nivelit qendror kemi arritur të përmbyllim shumë kërkesa elementare të qytetarëve sidomos  në infrastrukturë rrugore dhe po shpresojmë të njëjtën mbështetje do ta kemi edhe në vitet në vijim edhe pse nevojat janë më të mëdha në raport me ndihmën e ofruar nga qendra e sidomos kjo përkrahje ka munguar nga ministrat që vijnë nga koalicioni qeverisës por shpresojmë që vitin e ardhshëm  të ketë reflektim pozitiv.

Gazeta Lajm: Kalaja dhe ura e vjetër padyshim se janë pasuri të mëdha të Kaçanikut. Si është gjendja kulturore dhe sa ka interesim nga turistët të vizitojnë qytetin tuaj?

Besim Ilazi: Sa i përket kalasë së qytetit para dy viteve kemi përfunduar fazën  e parë të konservimit të Kalasë si donacion me bashkëfinancim komunë dhe organizate suedeze për ruajtjen e monumenteve kulturore historike. Ndërsa tek ura  e vjetër herë pas here është intervenuar aty ku është parë e domosdoshme, po ashtu kemi pasur edhe disa intervenime në ruajtjen  dhe konservimin e disa shtëpive si në fshatin Stagove dhe Bergrace e që vlen të përmendet  intervenimi te Oda e Luzhës që llogaritet si  një odë më shumë se 200 vjeçare. Kurse sa i përket interesimit të turistëve mendoj që është një interesim minimal në qytetin tonë, por po shpresojmë që në një të ardhme të afërt edhe komuna të sensibilizojë këtë çështje dhe të rritet numri  i të interesuarve, po ashtu kërkojmë edhe prej mediave të na ndihmoje në promovimin e Kaçanikut.

Gazeta Lajm: Për fund, si është gjendja e sportit në komunën tuaj?

Besim Ilazi: Siç e ceka edhe me lart që nuk qëndrojmë edhe mjaft mirë me sport, ngase komuna e Kaçanikut deri më tani nuk ka pasur hapësirë të brendshme për aktivitete sportive dhe shpresoj në përmbyllje të hallës sportive vitin e ardhshëm.

Vitin e kaluar kemi përfunduar fazën e parë të stadiumit të qytetit “Besnik Begunca”  dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të fillojmë me fazën tjetër për ta funksionalizuar pjesën e tribunave.

 

Intervistoi: Hamëz Bytyqi