Është krijuar shumë zhurmë ditëve të fundit rreth çmimeve të derivateve të naftës në Kosovë, konkretisht për mos rënien e tij duke ditur se ka ulje të çmimit në mbarë botën. Për këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri Haradinaj, ndërsa institucionet gjegjëse kanë nisur hetimet për të kuptuar mos eventualisht ka një marrëveshje të fshehtë mes naftëtarëve në vend, që të mos ulin çmimet, që ndryshe njihet si “kartel”.

Pavarësisht kësaj kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë se çmimi i naftës në Kosovë është më i liri në rajon, përjashtuar Maqedoninë.  

Ai në një intervistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com) tregon se çfarë ka biseduar me kryeministrin Haradinaj për këtë çështje si dhe flet për hulumtimin e bërë më 26 dhjetor të këtij viti lidhur me çmimet e naftës në regjion.

 

Gazeta Lajm: Çmimi i derivateve të naftës është bërë së fundmi një problematikë, për çka kanë reaguar edhe institucionet. Pse në Kosovë nuk po ulet çmimi i naftës kur ka rënie në mbarë botën? Si përcaktohet çmimi?

Fadil Berjani: Sa i përket çmimit të derivateve dihet se çmimin e përcakton Berza dhe organizata prodhuese OPEC. Në trendet botëore ka pas një rënie të lehtë dhe kjo rënie ka reflektuar edhe në Kosovë, por me pak vonesë. Kosova nuk ka rafineri dhe nuk ka rregullator, andaj duhet sa më parë ta formon rregullatorin i cili e përcjellë Berzën dhe përcakton çmimin, një javor apo dy javor siç e kanë shtetet në regjion konkretisht Maqedonia.

Gazeta Lajm: Sa është përafërsisht mazha e fitimit për 1 litër nafte në Kosovë?

Fadil Berjani: Mazha në një litër derivat bruto është 10 deri ne 12 cent. Në këto çmime hynë, pagat, rryma dhe agregati, taksat, shpenzimet bankare, ku ka edhe shumë parametra tjerë që e japin një mazhë finale 4 deri ne 5 cent neto, por ka raste që mazha e fitimit del edhe më e vogël.

Gazeta Lajm: Çmimi është më i shtrenjtë se në Republikën e Maqedonisë. Pse?

Fadil Berjani: Unë mendoj se në media është bërë më tepër një lloj spektakli kinse derivatet po shiten për 30 cent më shtrenjtë në Kosovë se në regjion, por kjo nuk qëndron. Çmimet në Kosovë janë më të lirat në regjion përveç Maqedonisë e cila e ka akcizën më të lirë se ne për 10 cent. Poashtu ka rafinerinë, furnizohet nëpërmjet gypave nga Greqia dhe nuk kanë shpenzime të transportit dhe shumë shpenzime tjera. Ne paguajmë akcizë 36 cent për një litër dizel dhe 38 cent për litër benzinë. Maqedonia ka rregullatorin ku reflekton në ngritjen apo uljen e çmimeve.

Gazeta Lajm: Disa kompani që shesin derivate të naftës në disa komuna kanë liruar çmimin diku në 1 euro. Si e komentoni këtë?

Fadil Berjani: Unë kam kërkuar qe ajo kompani të hulumtohet, të kontrollohet prej nga ka ardhur ai derivat, të kontrollohet cilësia dhe sasia. Përndryshe kompania e cakton çmimin vet, askush nuk mund ta detyron se me çfarë çmimi shet derivatet e saj. Sikur Kosova të kishte rregullatorin, do ta përcaktonte çmimin.

Gazeta Lajm: Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet për të kuptuar nëse ka një marrëveshje mes tregtarëve, kompanive të mëdha të naftës. Ka gjasa të ketë një marrëveshje të fshehtë mes naftëtarëve apo siç njihet ndryshe si “kartel”?

Fadil Berjani: Unë kam pas takim me Agjencionin e Konkurrencës. Ne i përkrahim dhe mbështesim që të fillon të heton nëse ka apo jo marrëveshje mes naftëtarëve për rregullimin e çmimit që njihet si “kartel”. Por, nuk ekziston diç e tillë, nuk ka marrëveshje mes naftëtarëve, nuk ka çmim “kartel”.

Gazeta Lajm: Për këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri Haradinaj. Ju keni zhvilluar një takim me të. Ç’keni biseduar konkretisht me të?

Fadil Berjani: Ne si Shoqatë e falënderuam kryeministrin për takimin me ç’rast e njoftuam me situatën në sektorin e naftës. E njoftuam me çmimet sipas një hulumtimi që tregon se Kosova përveç Maqedonisë me çmime është më e lira në regjion. Kryeministri kërkoj që tregu i derivateve të jetë i arsyeshëm dhe korrekt. Unë i paraqita disa kërkesa kryeministrit Haradinaj, siç janë: themelimi i Rregullatorit, ligji i naftës të kalon sa më shpejt, dhe pse neni 5 pika 6  nuk duhet te ndryshohet, çka do të thotë se ky nen i mbron të gjithë importuesit aktual dhe nuk lejon të ketë favore si dhe të hiqet taksa për kyçje në rrugë. Kjo taksë duhet të paguhet kur të merret leja për ndërtim e jo të paguhet çdo vit. Morëm mbështetje pozitive, me ç’rast kryeministri tha se do të merret me këtë sektor për ta vë në binarë.

Gazeta Lajm: Në Kosovë duhet thënë se ka një rënie të lehtë të çmimit, tani sillet rreth 1.16 e jo si para rreth një muajsh 1.21. Cilat janë gjasa të ulet çmimi nën 1.16?

Fadil Berjani: Hulumtimet tona lidhur me çmimet në regjion tregojnë se qytetarët e Kosovës furnizohen me çmimet më të lira në regjion përveç Maqedonisë.

Ky hulumtim është bërë me datë 26 dhjetor 2018 dhe tregon se çmimet në regjion janë:

Në Kroaci  - dizeli 1.35 - benzina  1.30

Në Bosnje  - dizel  1.26 - benzina  1.27

Në Mal të Zi - dizeli 1.27 – benzina 1.28

Në Serbi - dizeli 1.40 - benzina 1.29

Në Shqipëri - dizeli  1.46 - benzina 1.47

Në Kosovë - dizeli 1.10 deri 1.14  - benzina 1.11 deri 1.15

Në Maqedoni - dizeli  1 - benzina 1.04

Pra është një rënie e lehtë e derivateve. Ne si Shoqatë theksojmë se çmimi më i lirë në Maqedoni është si pasojë e akcizës doganore më të ultë se në të gjitha vendet në Ballkan.

 

Intervistoi: Blendi Gashi