Është në mandatin e parë si kryetar i Mamushës, komunë kjo me shumicë turke. Problemet i ka të njëjta si edhe komunat tjera, por për dallim nga to, ka një problem shtesë. Është e vetmja komunë në Kosovë që nuk ka Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe ndërtimi i saj nuk parashihet as me projektbuxhetin e vitit 2019-të.

Kryetari i këtij qyteti, Abdulhadi Krasniç, bën thirrje tek qeveria që në mundësinë e parë ta mbështesin në realizimin e këtij projekti.

Krasniç, në një intervistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com) flet edhe për sfidat tjera që ballafaqohet komuna, projektet që synon t’i realizon deri në fund të mandatit, tregon cilat është gjendja në kulturë, sport etj.

 

Gazeta Lajm: Jeni në mandatin e parë si kryetar I Mamushes. Me ç’probleme keni gjetur komunën dhe sa keni arritur t’i evitoni ato? 

 

Abdulhadi Krasniç: Po kam gjetur disa probleme, si në infrastrukturë, por edhe të them probleme ndërnjerëzore brenda komunës, ku qytetarët nuk kanë guxuar të komunikojnë lirshëm mes tyre për shkak të bindjeve partiake.

Shembull, personi i afërt me ish-kryetarin nuk ka guxuar lirshëm të komunikojë me një bashkëqytetarë vetëm pse është përkrahës i një partie tjetër.

Fatmirësisht mund të them deri në 90 % e kam eliminuar këtë dukuri negative dhe tash brenda komunës komunikimi është tejet normal, pra ashtu siç duhet të jetë, qytetarët të shprehen lirshëm pavarësisht bindjeve partiake. Andaj jam i lumtur që kam arritur të unifikoj njerëzit.

Gazeta Lajm: Cilat janë sfidat më të mëdha që përballet komuna juaj?

Abdulhadi Krasniç: Si edhe çdo komunë edhe e jona ballafaqohet me problematika të ndryshme. Por për dallim nga komunat tjera, Mamusha është e vetmja komunë në Kosovë që nuk ka Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Në marrëveshje me Caritasin kam arritur të ndërtojmë vetëm ambulanta që punojnë 24 orë.

Për mungesën e QKMF-së kam biseduar edhe me ministrin e Financave dhe ju kam dërguar shkresa dhe deputetëve, por fatkeqësisht as ë projektbuxhetin për vitin 2019-të, nuk parashihet ndërtimi i saj.

Pavarësisht kësaj, unë do s’do të ndalem dhe do të punoj në drejtimin që Mamusha sa më parë të bëhet me QKMF.

Problem tjetër është edhe mungesa e ujit të pijes, por kjo do zgjidhet shumë shpejt. Me Hidroregjionin është hapur një pus tek rezervuari i qytetit dhe shpresoj që deri para vitit te ri, pra në fund të këtij viti, çdo shtëpi do ketë ujë të pijes.

Problematikë është edhe çështja e kanalizimit, trajtimi i ujërave të zeza. Por edhe në këtë drejtim jemi duke punuar dhe deri më tani 50% është kryer puna dhe sigurisht deri fund të mandatit do rregullohet kjo problematikë.

Gazeta Lajm: Cilat janë prioritetet tuaja deri në fund të mandatit? Konkretisht cilat projekte madhore synoni t’i realizoni?

Abdulhadi Krasniç: Prioritetet kryesore që synoj t’i realizoj deri në fund të mandatit kryesisht lidhen me rininë, por jo vetëm.

Synoj ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës, Sallën Sportive, ndërtimin e Bibliotekës së qytetit, Qendrën Rinore dhe gjithsesi edhe ngritjen e cilësisë në arsim.

Prioritet tjetër i imi është edhe zhvillimi sa më i hovshëm i bujqësisë, pasi të hyrat kryesore të familjeve nga komuna jonë janë pikërisht nga bujqësia.

Poashtu synoj edhe renovimin e dy parqeve vitin tjetër, pastaj pastrimin e qytetit dhe gjelbërimin dhe përfundimin e tërësishëm të ndriçimit të qytetit.

Gazeta Lajm: Sa po gjen përkrahje komuna juaj nga qeveria “Haradinaj”? Jeni të kënaqur apo jo?

Abdulhadi Krasniç: Përkundër se disa nga kërkesat që ka komuna jonë, e që më kryesorja është ndërtimi i QKMF-së nuk janë përfshi në buxhetin e vitit të ardhshëm, unë jam tejet i kënaqur me bashkëpunimin që kam me qeverinë e Kosovës dhe përkrahjen e ofruar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Por besoj që me rishikim të buxhetit disa nga kërkesat baza do përkrahen, pasi edhe në takimin që kam zhvilluar me ministrin e Financave, ka deklaruar se do mundohen që të realizohen disa nga kërkesat e paraqitura nga ne.

Gazeta Lajm: Cila është gjendja në sport?

Abdulhadi Krasniç: Për herë të parë komuna ka punësuar një zyrtar për rini e sport, çka nuk ka ndodhur vitet paraprake. Si komunë jemi duke rishikuar mundësitë ta mbështesim sportin dhe sportistët sa më shumë. Pra në plan kam që të ndërtohet qendra sportive dhe me rikthyer klubin “Mamusha Sport”, në futboll dhe basketboll, pasi për shkak të mungesës së financave është shuar më parë.

Gazeta Lajm: Pse duhet me u vizitu Mamusha?

Abdulhadi Krasniç: Padyshim se edhe komuna jonë si edhe të tjerat ka specifikat e saja pse duhet vizituar. Padyshim se ja vlen të shikohet afër puna që bëjnë bujqit, pra si me djersën e tyre mbajnë familjet. Si monument historik i vitit1800 është edhe Sahat Kulla që gjendet brenda oborrit të Xhamisë, por ka edhe vende tjera që vlen të vizitohen.

 

Intervistoi: Hamëz Bytyqi