Që nga marrja e mandatit ka treguar se nuk do jetë një kryetar i zyrës, por më shumë i terrenit. Pothuajse çdo ditë takohet me qytetarët dhe dëgjon hallet e tyre, ndërsa çdo projekt që realizohet e përcjell nga afër. Fjala është për kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, i cili nuk dëshiron të merret me (mos) punën e ish-kreut të komunës, por thotë se projektet e tij do t’i vazhdon pasi është interesi i qytetarëve.

Muharremaj në një intervistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com) tregon se cilat projekte i ka realizuar deri më tani, cilat synon t’i realizoj, ndërsa tregon se sa po e përkrahë qeveria qendrore që udhëhiqet nga kreu i partisë së tij.

 

Gazeta Lajm: Në zgjedhjet e fundit lokale rimorët mandatin pasi fituat ndaj kandidatit të LDK-së. Si e gjetët komunën? Trashëguat shumë probleme apo jo?

Bali Muharremaj: Jam deklaruar disa herë rreth kësaj çështje. Megjithëse ka pasur probleme, unë nuk jam i interesuar të merrem me të kaluarën. Projektet të cilat kanë qenë në menaxhim nga Sali Asllanaj, do t’i vazhdoj aty ku është edhe interesi i qytetarëve. Jam kryetar i të gjithëve dhe do të qeverisë pa dallim në respektim të drejtave dhe ligjeve në fuqi.

Gazeta Lajm: Po bëhen gati një vit që po qeverisni me Suharekën. Cilat janë projektet që keni realizuar deri tani që ja vlen të përmenden?

Bali Muharremaj: Ka shumë projekte. Jam kujdesur që së pari të përfundojnë projektet e mbetura. Rruga kryesore “Brigada 123” në Shirokë na ka marrë shumë kohë derisa është përfunduar, pastaj edhe pjesë të projekteve tjera të cilat kanë mbetur përgjysmë. Ka qenë problem edhe buxheti ngase nuk është votuar në Asamblenë Komunale vitin e kaluar, dhe për këtë ka pasur vonesa, megjithëse pas disa përpjekjeve ia kemi dal ta tejkalojmë këtë sfidë.

Megjithatë, ne realizuam një projekt madhor bashkë me bizneset në Suharekë dhe subjektet tjera politike, aksionin e pastrimit të ambientit qysh në Prill të këtij viti, duke larguar me mijëra tonelata mbeturina drejt lokacionit të destinuar dhe i caktuar nga Asambleja Komunale.

Poashtu realizuam projektin me 2.5 kilometra të “Shtigjeve të Ecjes” në bashkëpunim me  organizatën “DEMOS” , ku tani përmendet si shembull në Kosovë. Në Parkun e Qytetit për herë të parë po realizojmë investime ku do të kthehet në një zonë moderne me kënde të lojërave për fëmijë, vende pushimore për të moshuarit, fontana etj.

Thuajse në përfundim është edhe Tregu Ditor, i cili i ka munguar qytetarëve dhe tani do ta kemi në qendër ashtu siç e mbahet mend në memorie kolektive, duke ardhë si objekt i bukur, praktik dhe modern.

Ka vazhduar edhe një projekt tjetër për ambientin, duke u pastruar shtretërit e lumenjëve, në shumë zona në Komunën e Suharekës. Në qytet po shtrohen shumë rrugë dhe investime infrastrukturore  kemi në Lagjen “Fidanishte”.

Njëkohësisht brenda këtij viti ka filluar projekti ku e gjithë Zona Industriale do ta ketë të rregulluar infrastrukturën, me kanalizim, ndriçim, gjelbërim  dhe pjesët tjera përcjellëse.

Kanë përfunduar dy rrethrrotullime në Duhël dhe tek hyrja e Autostradës, të cilat kanë qenë të nevojshme dhe e kanë rritur sigurinë në komunikacion.

Ka filluar edhe rregullimi i shtratit të lumit në Mushtisht dhe zgjerimi i rrugës për në Gradac. Rruga Dolloc-Shtërpc ka filluar dhe këto dy projekte të fundit besoj se do ta rrisin turizmin malor në të ardhmen.

Gazeta Lajm: Cilat janë sfidat më të mëdha që keni përpara dhe ç’projekte madhore synoni të përfundoni deri në fund  të mandatit?

Bali Muharremaj: Ka shumë sfida. Unë jam zotuar që Komunën e Suharekës do ta bëjë Komunën më të pastër dhe më të gjelbër në Kosovë dhe për këtë punoj çdo ditë. Kemi sfida në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”, mirëpo premtoj se do të angazhohem që kjo të përfundoj sa më shpejtë.

Jam i fokusuar që të realizohen dy projekte me rëndësi në Komunën e Suharekës. Projekti për Impiantin e Ujërave të Zeza dhe projekti “Liqeni i Dragaqinës”. 

Gazeta Lajm: Si paraqitet gjendja në arsim, bujqësi, insfrastrukturën rrugore, shëndetësi etj. në komunën tuaj?

Bali Muharremaj: Kemi realizuar projekte edhe në këto dikastere. Realizimi i premtimeve në Shëndetësi është masën 100%. Pra janë aktivizuar 4 njësi të qendrave mjekësore, në Bukosh, Mushtisht, Studençan, Semetisht etj punohet deri ora 10:00.

50 vende pune shtesë, pastaj shërbimi mjekësor lëvizës në ato shtëpi ku ka nevojë për pacientët të cilët nuk mund të lëvizin, dhe shumë e shumë shërbime tjera.

Në Bujqësi po rregullohen rrugët fushore, janë realizuar gjithashtu projekte që janë subvencionuar fermerë, me projekte nga të cilat kemi pasur edhe asistencën e organizatave të ndryshme.

Në sektorin e arsimit nga 4 çerdhe që i kemi premtuar, brenda vitit të parë janë realizuar dy, një në Mushtisht dhe tjetra në Duhël.

Në Infrastrukturë po realizohen projektet në vazhdimësi, ashtu siç është paraparë edhe me buxhetin e miratuar nga Asambleja Komunale. 

Gazeta Lajm: Keni treguar se jeni ndër kryetarët komunal që po qëndroni pranë qytetarëve, kjo dëshmohet me pritjet që ju bëni në zyrë por edhe nga postimet që bëni në rrjetet sociale. Cilat janë hallet që më së shumti po i paraqesin para jush?

Bali Muharremaj: Kam premtuar dhe mundohem që ta realizoj premtimin tim. Puna ime krahas punës në zyre do të jetë edhe në teren. Siç jeni të informuar, unë jam në teren vazhdimisht duke u njoftuar me shqetësimet e qytetarëve, diskutoj me ta dhe angazhohem 24 orë që të jem pranë tyre. Ka kërkesa për shërbime, punësim, infrastrukturë, ndihma sociale etj, dhe po mundohem me mundësitë që mi jep ligji tu përgjigjem.

Më duhet ta falënderoj në emër të të gjithë qytetarëve Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” dhe Halil Kastratin për bashkpunimin, ku Komuna jonë me bashkëfinancim, kemi mundësuar projektin madhor  për ndërtimin e 9 shtëpive dhe banesave që u janë dhuruar familjeve që kanë nevojë

Gazeta Lajm: Sa po keni përkrahje nga qeveria qendrore kur dihet se udhëhiqet nga kreu i juaj i partisë, RamushHaradinaj? Ka ndikuar kjo që të përfitoni më shumë projekte?

Bali Muharremaj: Kemi pasur përkrahje vazhdimisht por më duhet ta theksoj se ende kemi nevojë që ajo të ec në proces. Ramush Haradianaj ka treguar lidership dhe vendosmëri krahas vendimeve të mëdha që po  merr për vendin. Kryemistri Haradinaj ka treguar gatishmëri që ta ndihmoj Therandën dhe për këtë i jemi mirënjohës. Ai është i barabartë para të gjithë qytetarëve, por që kjo analizohet edhe në bazë të kërkesave dhe angazhimeve tona.

Gazeta Lajm: Si shumë komuna edhe në Suharekë shkaktohen dëme të mëdha nga vërshimet. Sa janë kompensuar të dëmtuarit?

Bali Muharremaj: Ne jemi përballë me vërshime verën që shkoi në muajin Gusht me vërshime të cilat shkaktuan dëme në miliona euro. Ashtu siç është raportuar ne jemi gjendur përballë kësaj situate bashkë dhe pa dallim. Kam pasur përkrahjen e të gjitha subjekteve politike pa dallim dhe të qytetarëve për të realizuar kërkesat tona për ndihmë ndaj Qeverisë së Kosovës. Ne pasi e kemi analizuar gjendjen në teren me raport detal përmes komisioneve kemi raportuar me gjendjen ekzistuese.

Vizita e Qeverisë në Therandë ka qenë e suksesshme ngase sado pak e ka përmirësuar gjendjen në teren ku mbi 50 e infrastrukturës rrugore është dëmtuar dhe shumë shtëpi. Ndihma e tyre u realizua me 1.1 milion euro krashas dëmit i cili sipas vlersimit tonë ishte në mbi 6.5 milion euro.

Pas një  pune intensive të komisioneve në përbërje nga të gjitha subjektet politike, kemi realizuar kompensimin e dëmeve në amvisëri në masën 80 %. Pjesa tjetër e mbetur ka shkuar si destinim në  infrastrukturën e dëmtuar dhe poashtu edhe në një projekt i cili në të ardhmen do të jetë i rëndësishëm ngase më nuk do të ketë vërshime. Ky është projekti kryesor Kanali i Ujërave Atmosferike “Gryka e Dybyqakut” nga e cila sipas inxhinierve ka ardhur masa e ujërave që i ka shkaktua vërshimet.

Vlen të theksohet se kemi punuar edhe në rrugën “Xhavit Syla”, e cila në të kaluarën është përmbytur nga vërshimet, mirëpo tash projekti është thuajse  në përfundim për realizimin e kanalit të ujërave atmosferike.   

Gazeta Lajm: Së fundmi keni qëndruar për vizitë në Itali. Cili ka qenë qëllimi i saj?

Bali Muharremaj: Kam marrë ftesë nga Shoqata “Zëri i Atdheut” në Trevizo në Italisë për Festën e 28 Nëntorit.

Atje kemi shumë bashkatdhetar nga Suhareka ku jetojnë e punojnë, dhe më duhet ti falënderoj për mikpritjen kudo ku i kam vizituar. Kemi biseduar bashkë dhe i kam njoftuar për punën time.

Diaspora jonë meriton respekt ngase në të gjitha periudhat e ka dhënë kontributin e saj të jashtëzakonshëm, prandaj ne të gjithë pa dallim u jemi mirënjohës.

 

Intervistoi: Hamëz Bytyqi