Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) është organizata e vetme e cila monitoron sistematikisht sistemin e drejtësisë në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Nga analiza e tri viteve të fundit të trajtimit të korrupsionit të profilit të lartë, rezulton se ende nuk ekziston një zyrtarë i profilit të lartë, i cili është dënuar për korrupsion me aktgjykim të formës së prerë me burgim efektiv.

Drejtori i këtij Instituti, Ehat Miftaraj, thotë se fatkeqësisht sistemi i drejtësisë më 2018-të ka shënuar regres, për çka ai i vë notë të dobët.

Miftaraj në një intervistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com) tregon se cilat janë top-skandalet që karakterizuan sistemin e drejtësisë më 2018-të, çfarë e pret me 2019-tën, a duhet të ndodh “vettingu”, flet për Gjykatën Speciale e çështje tjera.  

 

Gazeta Lajm: Nga 1 deri në 5 me ç’notë do e vlerësoni sistemin e drejtësisë në Kosovë për vitin 2018-të?  

Ehat Miftaraj: Fatkeqësisht sistemi i drejtësisë në Kosovë në vitin 2018 ka shënuar regres, dhe do të mbahet mend për mungesë rezultatesh në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë, instalimit të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe pasigurisë juridike.  Në ketë drejtim, sistemit të drejtësisë në vitin 2018  nota 1 do t’i shkonte më së shumti për shtati.

Gazeta Lajm: Sipas jush cilat janë top-skandalet që u shënuan në drejtësi këtë vit, por edhe sukseset veç nëse ka pasur?

Ehat Miftaraj: Viti 2018, do të kujtohet më një numër të madh të skandaleve, ku vlen të veçohet rasti i veteranëve të luftës dhe kërcënimet publike nga politika dhe akterët e sistemit prokurorial kundër ish prokurorit Elez Blakaj.  Listës së skandaleve nuk mund të i shpëtojnë edhe vendimi i kundërligjshëm për ngritjen e pagave për një kategori të caktuar të zyrtarve të lartë publik dhe legjitimi i këtij vendimi pa bazë ligjore nga gjykata kushtetuese.  Deportimi i shtetasve turq hyn në kuadër të vendimeve të kundërligjshme dhe që ka cenuar rëndë parimet kushtetuese lidhur me të drejtat dhe liritë e njeriut.  Listës së skandaleve mund të ti shtohen edhe dhjetëra raste tjera, të cilat fatkeqësisht e kanë turpëruar sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Gazeta Lajm: A është drejtësia e komprometuar nga politika? Nëse po, si konkretisht?

Ehat Miftaraj: Drejtësia dhe politika në Kosovë bashkëjetojnë.  Përderisa, me kushtetute dhe ligj sistemi i drejtësisë është i pavarur, në praktikë fatkeqësisht sistemi i drejtësisë është shëndërruar në dikaster të pushtetit ekzekutiv duke i shërbyer kësaj të fundit.   Rasti Pronto dhe rasti i veteranëve të luftës e dëshmon se sistemi i drejtësisë i është nënshtruar pothuajse plotësisht politikës, raportet vendore dhe ndërkombëtare tanime kanë filluar Kosovën ta quajnë shtet të kapur, e që besoj dëshmon mjaftueshëm lidhur me politizimin e sistemit të drejtësisë.

Gazeta Lajm: Ka apo jo nevojë sistemi i drejtësisë për “vetting”, pra a duhet bërë pastrimi i këtij sistemi?

Ehat Miftaraj: IKD është organizata e vetme, e cila monitoron sistematikisht sistemin e drejtësisë në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Nga analiza e tri viteve të fundit të trajtimit të korrupsionit të profilit të lartë, rezulton se ende nuk ekziston një zyrtarë i profilit të lartë, i cili është dënuar për korrupsion me aktgjykim të formës së prerë me burgim efektiv. Gjetjet e IKD-së dëshmojnë se për tri vjet (1 janar 2016 - 1 dhjetor 2018), gjykatat kanë trajtuar 58 aktakuza ndaj 67 personave të profilit të lartë, të cilat janë ngritur më herët apo gjatë kësaj periudhe. Në mesin e tyre janë 12 zyrtarë të lartë që janë akuzuar më shumë se njëherë. Vlen të theksohet se vetëm ndaj ish-Kryetarit të Kllokotit, Sasha Mirkoviq, janë ngritur 7 aktakuza.

Gjetjet e IKD-së, dëshmojnë se aktakuzat e profilit të lartë ndodhin pothuajse gjithmonë vetën pasi zyrtarët e lartë publikë, nuk ushtrojnë më pozitat e tyre dhe vetëm pasi të njejtit nuk kanë ndikim të madh politik. Prej 67 zyrtarëve të akuzuar, vetëm 12 prej tyre janë akuzuar gjatë kohës që kanë qenë në pushtet apo mbajtur pozitat e larta udhëheqëse, ndërsa 55 prej tyre janë akuzuar vetëm pasi e kanë përfunduar mandatin apo pasi kanë kaluar në “isha”.

Nga 67 zyrtarët e profilit të lartë të akuzuar, Gjykatat Themelore si shkallë e parë për 7 zyrtarë të lartë kanë hudhur aktakuzat, për 16 zyrtarë kanë marrë aktgjykime liruese, për 5 zyrtarë kanë marrë aktgjykime refuzuese, ndërsa ndaj 10 zyrtarëve të profilit të lartë gjykatat kanë shqiptuar dënime. Ndaj 28 zyrtarëve të profilit të lartë ende janë duke vazhduar procedurat gjyqësore në shkallë të parë.

Duke vlerësuar integritetin e kontestuar të sistemit të drejtësisë në trajtimin e rasteve të profilit të lartë të korrupsionit, mungesës së llogaridhëniës, politizimit të këtij sistemi, mungesës së integritetit institucional dhe integritetit personal të disa prej udhëheqësve kryesor të këtij sistemi, IKD rekomandon ekzekutivin dhe legjislativin që të fillojnë me inicimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore për ta përgatitur procesin e “vettingut” të thellë në sistem gjyqësor, prokurorial dhe polici.

Gazeta Lajm: Siç e dini Gjykata Speciale ka intervistuar disa nga ish-komandantët e UÇK-së. A pritni që të ngritën aktakuzat e para në fillimvitin e 2019-tës? Nëse po, ç’gjasa ka të ketë destabilizim?

Ehat Miftaraj: Vet fakti se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka zgjedhur mënyrat e komunikimit me personat që ftohen nga kjo zyre qoftë në mënyrë verbale apo edhe me letërthirrje ku nuk saktësohet nëse të njëjtit janë ftuar si dëshmitarë apo të pandehur, mundëson për keqkuptime dhe keqinterpretime të shumta.  Strategjia e Prokurorisë si duket është të pëgatit opinionin publik përmes ftesave për persona të nivelit më të ultë sa i përket statusit të tyre aktual qoftë në skenën politike apo të sigurisë në Kosovë, sigurisht me mundësinë e hapur që në të ardhmen të ftohen edhe zyrtarë të lartë shtetërorë që sot ushtrojnë funksione publikë, gjithmonë me kusht ë prokuroria të ketë fakte dhe dëshmi që bazojnë dyshimet e ngritura.

Ligji i aplikueshëm në Kosovë por edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktika e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut i kushtojnë rëndësi të jashtë zakonshme mbrojtjes dhe sigurisë juridike të personave që mund të jenë subjekt të procedurave penale.  Në këtë drejtim, mënyra se si ka filluar punën gjykata speciale mund të përceptohet në publik si mënyrë e gabuar dhe që cenon rëndë sigurinë juridike dhe parimin për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm.

Përderisa, ftesat verbale apo letërthirrjet duke mos cilësuar statusin e personave të ftuar do të ishin “normale” për një shtet me mungesë të demokracisë dhe që injoron standardet dhe parimet ndërkombëtare, e njejta nuk do të duhet të ndodhte në praktikë nga gjykata speciale, pasi një qasje e tillë qysh në fillim zbeh besueshmërinë e publikut në këtë institucion.

Me vet faktin që tanimë ka filluar intervistimi i personave të caktuar, çdo rast është individual dhe varet nga fakti se në cfarë stadi të hetimit janë nga ana e prokurorisë.  Sa i përket afateve kohore, Porkuroria mund që të shfrytëzoj kohën që ia lejon ligji i aplikueshëm në Kosovë që mund të shkoj edhe deri në dy vite nga koha kur është marr aktvendimi për fillimin e hetimeve, e në rastet kur ka dëshmi dhe prova Prokuroria, e njëjta mund të ngrit aktakuza menjëherë.

Për fund, ç’e pret sistemin e drejtësisë më 2019-tën? Pra, ç’ngjarje kryesore pritet ta shënojnë?

Viti 2019 do të jetë vit i Gjykatës Speciale, ku pritet të fillojnë arrestimet e para, ku pa dyshim se do të preket edhe skena politike në Kosovë.  Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit edhe në vitin 2019 do të luftohet përmes retorikës dhe forcimit të kulturës së pandëshkueshmërisë.  Në vitin 2019 do të zgjidhet Kryesuesi i ri i Këshillit Prokuroial të Kosovës, Kryeprokurori i PSRK dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në këtë drejtim do të jetë një betejë politike për ti dërguar njerëz të dëgjueshëm nga politika dhe grupet e interesit. Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi i Kosovës do të vazhdojnë “sukseset” e tyre në plotësim ndryshimin e ligjeve që ndërlidhen me sistemin e drejtësisë.  Në raportet ndërkombëtare Kosova do të karakterizohet si shtet i kapur ku mungon sundimi i ligjit, siguria juridike.  Viti 2019 shpresojmë se do të karakterizohet si vit kur do të filloj hartimi i kornizës ligjore lidhur me procesin e “vettingut” në sistemin e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë dhe kur organet e sigurisë dhe ndjekjes do të ndalin praktikën e pandëshkueshmërisë ndaj grabitjeve me armë dhe veprave penale që ndërlidhen me dhunën në familje.  

Intervistoi: Blendi Gashi