Kosova edhe sivjet po përballet me ndotje të ajrit, ku shpeshherë po shpallet “kampion” bote. Kjo ndotje mbi normat e lejuara po shkakton situatë alarmante mbi shëndetin qytetarëve, të cilët po detyrohet të vënë edhe maska për t’u mbrojtur.

Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina, thotë se janë disa faktorë që po e shkaktojnë këtë gjendje, ku disa prej tyre sipas tij janë: prodhimi i energjisë nga termocentralet, përdorimi i lëndëve djegëse në amvisëri, transporti i veturave etj.

Morina në një intervistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com) tregon se ç’veprime duhet të marrin institucionet gjegjëse dhe si duhet të mbrohet qytetarët, por jo vetëm…

 

Gazeta Lajm: Kosova edhe sivjet po renditet si njëra ndër shtetet më të ndotura në botë sa i përket nivelit jo të mirë të ajrit. Pse qytetarët çdo dimër po ballafaqohen me këtë situatë?

Ilir Morina: Në bazë të të dhënave nga monitorimi i cilësisë se ajrit dhe krahasimit me vitin paraprak, për periudhën kohore Janar-Tetor 2018 në Prishtinë (Rilindje) janë shënuar 41 ditë me tejkalime, krahasuar me 34 ditë tejkalime të regjistruara në të njëjtën periudhë kohore të vitit 2017.

Ndërsa në Drenas në periudhën kohore Janar-Tetor 2018 janë shënuar 47 ditë me tejkalime, krahasuar me 46 ditë tejkalime të regjistruara në të njëjtën periudhë kohore të vitit 2017.

Të dhënat më të detajuara i gjeni në raportin vjetor për gjendjen e ajrit në likun: http://ammk-rks.net/repository/docs/Raporti_vjetor_per_gjendjen_e_ajrit_per_vitin_2017ok.pdf

Dhe në raportet mujore për cilësi të ajrit në linkun http://ammk-rks.net/?page=1,163

Ndërsa të dhënat në kohë reale i gjeni në ueb aplikacionin Kosova Air Quality.

Burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Kosovë janë industria energjetike, përkatësisht prodhimi i energjisë nga termocentralet, përdorimi i lëndëve djegëse në amvisëri, ndërmarrje komerciale, industri dhe në shërbime tjera, si dhe transporti i veturave.

Gazeta Lajm: Cila është përgjegjësia e juaj si Agjenci, e cila e dikastereve qeveritare rreth kësaj problematike?

Ilir Morina: Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë përmes Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës e bën monitorimin e cilësisë së ajrit dhe matjet nga stacionet për monitorim kontinual të cilësisë së ajrit.  Dy nga stacionet e vendosura në Prishtinë janë reprezentative për cilësinë e ajrit ne sfondin urban (Rilindja) dhe në sfondin suburbane (IHMK), ndërsa 6 stacionet tjera të vendosura në Mitrovicë, Drenas, Pejë, Prizren, Hani i Elezit, Gjilan, janë reprezentative për cilësinë e ajrit në sfondin urban dhe stacioni i vendosur në Brezovicë është për sfondin rural. Ndërsa 3 stacione të sfondit industrial janë vendosur në zonën e KEK-ut (Dardhishtë, Palaj dhe Obiliq).

AMMK, po ashtu bën edhe informimin dhe raportimin për gjendjen e ajrit në nivel nacional dhe po ashtu përgatite edhe inventarin e ndotësve në ajër. Informimi sipas nevojës bëhet në baza ditore dhe periodike. Raportet sipas nevojës dhe kërkesa janë ditore, mujore, periodike dhe vjetore.

Nga dikasteret tjerë:

•MMPH përmes Kabinetit të Ministrit dhe Departamentit të Mjedisit, harton politika dhe masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit sikurse janë: Ligjet, vendimet, udhëzimet administrative, planet, programet dhe strategjitë.

•Inspektorati i MMPH mbikëqyrë zbatimin e legjislacionit dhe politikave për cilësi të ajrit, përfshirë edhe lirimin e emisioneve nga burimet e palëvizshme sikurse janë: operatorët e ndryshëm që kanë leje mjedisore.

•Ministria e Tregtisë dhe Industrisë mbikëqyre dhe zbaton kontrollin e cilësisë së naftës dhe produkteve të saj.

•Ministria e Infrastrukturës mbikëqyrë dhe zbaton kontrollin teknik të automjeteve përkatësisht lirimin e ndotësve nga burimet e lëvizshme.

•Komunat janë të obliguara që të hartojnë plane lokale për cilësi të ajrit dhe të bëjnë zbatimin e tyre përmes masave konkrete.

•Te gjitha institucionet tjera qeveritare të nivelit lokal dhe qendror janë të obliguara të zbatojnë masat për përmirësimin e cilësisë së ajrit sipas ligjeve në fuqi.

Gazeta Lajm: Vitin e kaluar u ndërmorën disa masa po nuk është se dhanë rezultat. Cilat janë masat konkrete që duhet të ndërmarrin institucionet gjegjëse?

Ilir Morina: Masat parandaluese afatshkurta për ndotjen e ajrit janë të prezantuara në Planin e aktiviteteve për reduktimin e ndotjes së ajrit për vitin 2017-2018, masat afatmesme janë të prezantuara ne Planin e veprimit për ajrin 2018-2022, ndërsa masat afatgjata ne Strategjinë për cilësinë e ajrit.

Zbatimi i këtyre masave ku ndër të tjera është e paraparë reduktimi i ndotjes nga burimet e lëvizshme dhe të palëvizshme do të ndikonte në reduktimin e ndotjes së ajrit. Në mënyrë specifike në reduktimin e ndotjes do të ndihmonte zgjerimi i rrjetit të kogjenerimit, përmirësimi apo vendosja e filtrave në termocentralin “Kosova B”, zbatimi i kontrollit teknik të automjeteve, kontrolli i cilësisë së naftës, hartimi i planeve të mobilitetit për zonat e mëdha urbane etj.

Gazeta Lajm: A vije kjo situatë edhe si pasojë e mungesës së implementimit të ligjeve që lidhen me mjedisin?

Ilir Morina:  Kosova ka kornizë të mjaftueshme ligjore dhe programore për sektorin e ajrit, por në disa raste implementimi i tyre nuk është i mjaftueshëm. Si p.sh. ende nuk po zbatohet udhëzimi administrativ për normat e cilësisë së ajrit nga burimet e palëvizshme, apo edhe tek Komunat ende nuk kemi hartim të planeve lokale të veprimit për cilësi të ajrit sikurse e kërkon ligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Gazeta Lajm: Si duhet të mbrohen qytetarët? Ç’rekomandoni ju si agjenci?

Ilir Morina: Lidhur me format dhe mënyrat se si qytetarët mund të mbrohen nga ajrit i ndotur MMPH dhe AMMK kanë hartuar një udhëzues të cilin mund ta gjeni në linkun vijues: http://ammk-rks.net/repository/docs/Udhezues_-_Mbrojtja_nga_Ndotja_e_Ajrit_(OK).pdf

Disa nga rekomandimet tjera janë prezantuar edhe në planin për përmirësimin e cilësisë së ajrit 2017-2018, sikurse janë:

Rekomandime të përgjithshme për qytetarët:

•Të kufizohet përdorimi i thëngjillit për ngrohje;

•Të mos përdoren materiale të mbeturinave, vaji i përdorur motorik, mbeturina të llakuara dhe të ngjyrosura të drurit, stiropor, PET, ambalazhe, goma dhe çdo lloj tjetër i materialit sintetik;

•Të përdoret dru i thatë dhe i pastër pa primesa dheu ose mbeturinash;

•Stufat e drurit të përdoren dhe mirëmbahen sipas udhëzimeve të prodhuesit;

•Të pastrohen oxhaqet rregullisht;

•Të reduktohet përdorimi i veturave pa nevojë;

•Të shfrytëzohet sa me shume transporti publik;

•Të shfrytëzohet lëvizja aktive (ecje dhe biçikletë) për ngjarje të përditshme apo vajtje në punë;

Rekomandime për mbrojtjen e shëndetit të njeriut:

•Të shmanget përdorimi i automjeteve dhe të favorizohet përdorimi i transportin publik në mënyrë që të reduktohen emetimet e PM10 dhe PM2.5;

•Gjatë orëve të vona të mbrëmjes ose herët në mëngjes, kur përqendrimet e PM10 mund të arrijnë nivelin maksimal, është e këshillueshme që të shmangni ekspozimin afatgjatë në ambient të hapur;

•Në shtëpitë, në të cilat përdoren lloje të ndryshme të ngrohjeve, të shmanget përdorimi i lëndëve djegëse, të cilat prodhojnë grimca të pluhurit PM10 dhe PM2.5;

•Të anulohen/ shtyhen tubime të mëdha publike, ngjarje sportive dhe ngjarje kulturore në ambient të hapur në kohën kur ka ndotje të theksuar të ajrit.

Gazeta Lajm: Për fund, cili rajon është më i ndoturi në Kosovë dhe cili më i pastër?

Ilir Morina: Në bazë të matjeve të fundit komunat me ndotje më të larte janë: Prishtina, Obiliqi, Drenasi, Mitrovica, Hani i Elezit dhe Gjilani.

Komunat më pake të rrezikuar nga ndotja e ajrit, janë kryesisht komunat që përfshinë zonën e Rrafshit të Dukagjinit.

Intervistoi: Hamëz Bytyqi