Në zgjedhjet e fundit lokale, fitoi pa balotazh komunën e Vitisë. Shprehet i kënaqur me punët që ka bërë gjatë mandatit të parë, ndërsa pranon se ka shumë punë për të bërë në mandatin e dytë. Fjala është për kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti i cili beson se do t’i kryejë edhe shumë projekte madhore që lidhen kryesisht me infrastrukturën rrugore, shkollore por jo vetëm, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

 Haliti në një intervistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com), hapur shpreh pakënaqësinë me qeverinë qendrore, pasi thotë se nuk është i kënaqur me projektet që komuna e tij ka përfituar deri më tani, por shpreson që kjo do të ndryshojë.

Ai flet edhe për sfidat që kanë në arsim, shëndetësi, kulturë e fusha tjera dhe tregon tre projektet më madhore që synon t’i kryejë deri në fund të mandatit.

 

Gazeta Lajm: Jeni në mandatin e dytë si kryetar i Vitisë. Jeni më shumë kryetar i zyrës apo terrenit? Pra sa jeni afër qytetarëve? Keni ndarë kohë t’i takoni për të kuptuar hallet e tyre?

Sokol Haliti: Zakonisht e bëjë një balanc të punëve në zyre dhe teren, varësisht nga nevoja. Funksionimi i qeverise funksionale dhe agjendës zyrtare është shumë e nevojshme. Dalja në teren, qëndrimi pranë qytetarëve, pranë aktiviteteve poashtu është shumë i nevojshëm. Prandaj është e domosdoshme të ruhet edhe funksionimi institucional, pranë seancave dëgjimore për buxhet, për projektligjet dhe kudo që ka nevojë.

Gazeta Lajm: Cilat janë projektet që ja vlen t’i përmendni që keni realizuar gjatë katër vjeçarit të parë si kryetar? Po punët që keni synuar por nuk keni arritur t’i realizoni?

Sokol Haliti: Ka shumë projekte që ja vlen të përmend që janë realizuar gjatë katër vjeçarit të kaluar, si projektet e infrastrukturës rrugore dhe lidhja e të gjitha fshatrave mes tyre, projekte bujqësore ku mijëra hektarë janë hapur dhe ka mundësi që ekonomia të zhvillohet dhe fermerët të punojnë tokat e tyre, projektet ambientale.

Po përmendi disa prej projekteve të realizuara, si: ndërtimi i rrugës Sllatinë e Epërme dhe e Poshtme që lidhet me Pozharanin, pastaj ndërtimi i shkollave në Ballanc, Sllatinë, pastaj shkolla e mesme profesionale teknike, ndërtimi i ambulancës në Pozharan, pastaj shtruarja e qindra kilometrave trotuar, ndriçimet e bëra, pastaj ndërtimi i shëtitores Viti – Binçë, ku tashmë Gryka e Moravës është shndërruar në traditë shëtitje, pastaj pastrimi i Moravës, rivitalizimi i magjistrales deri në kufi me Ferizajn, si dhe projekte tjera, si ndërtimi i fushave sportive në shumë fshatra.

Gazeta Lajm: Po projektet që synoni t’i realizoni deri në fund të mandatit të dytë? Përmend tri më madhoret që synoni t’i kryeni?

Sokol Haliti: Zona Ekonomike është një nga projektet që synojmë ta jetësojmë që do t’i shërbej jo vetëm Vitisë por edhe komunave tjera, që shtrihet në magjistralen Gjilan – Ferizaj, pra është makro-projekt që ndihmon në zhvillimin ekonomik.

Pastaj synojmë ndërtimin e palestrave sportive, pastaj ndërtimin e shkollës fillore në Pozharan, pastaj rivitalizimin e tërësishëm të Lumit Morava, poashtu synojmë rivitalizimin e stadiumit në Sodovinë, në Viti dhe Pozharan.

Jetike është edhe ndërtimi i rrugës infrastrukturore Viti – Binçë – Kërbliç-Kaçanik i Vjetër – Grykë e Moravës dhe shpresoj që do realizohet.

Gazeta Lajm: Cilat janë problemet  dhe sfidat me të cilat po përballet Komuna e Vitisë?

Sokol Haliti: Sfida kemi shumë. Një prej më të mëdhave është trajtimi i ujërave të zeza, pastaj sfidë mbetet (mos) mbulueshmëria e ujit të pijes për tërë territorin e komunës së Vitisë.

Pastaj rregullimi i rrugës alternative nga Letnica në Stubëll e Stançiç e Drum që na lidh me Kumanovën e Gjilanin si dhe mbrojtjen e pyjeve dhe pyllëzimin e tij.

Gazeta Lajm: Si agronom që jeni me profesion dhe komuna si një vend bujqësor, sa jeni të kënaqur me zhvillimin e projekteve në zhvillimin e bujqësisë? Sa po gjejnë përkrahje fermerët?

Sokol Haliti: Ne po bëjmë shumë aktivitete në zhvillimin e bujqësisë. Kemi dhënë shumë orientime për organizimin e shoqatave të fermerëve që është një prej kritereve bazë të organizimit grupor të fermerëve sidomos në sektorët me përparësi, pjesës blektorale dhe pemëtare.

Kemi përkrahur edhe shoqatat e grave që punojnë në industrinë e pjekurinave dhe konservasave. Sivjet kemi rritur subvencionet në mënyrë që bujqësinë ta zhvillojmë sa më tepër.

Po merremi me çdo sektor, ku ja vlen ta përmendi edhe sektorin e shpeztarisë dhe bletarisë që nuk i kemi lënë anash, pasi janë sektor me potenciale.

Gazeta Lajm: Partia nga ju vini LDK, aktualisht nuk qeveris në pushtetin qendror. Duke pasur parasysh këtë, sa po gjeni përkrahje si komunë nga qeveria “Haradinaj”? Jeni të kënaqur apo ju ka kthyer shpinën?

Sokol Haliti: Qeveria qendrore duhet të ndajë buxhetin për komunat sipas numrit të banorëve. Edhe Vitia është Kosovë, dhe ka nevojë për fondet e qeverisë qendrore.

Nuk jemi të kënaqur me projektet që komuna e Vitisë ka përfituar nga niveli qendror, por jam në kontakte me ministri përkatëse që nevojat e tona të plotësohet me grande qeveritare, pasi buxheti i komunës është i pamjaftueshëm.

Kemi shumë deficite në arsim, kemi nevojë për shkolla të reja, si në Dërbesh, vendbanim ky në periferi të Vitisë që po rritet, kemi nevojë për çerdhe të reja, fusha sportive, për autoambulanca, si dhe për zgjerimin e magjistrales që përfshijnë territorin e Vitisë prej Budrikes deri Dermjan dhe prej Kllokotit deri te Reniki i Ri.

Gazeta Lajm: Për fund, si është gjendja kulturore në Viti? Po e turizmit? Pse duhet vizituar kjo komunë? Ç’ofron për turistët?

Sokol Haliti: Edhe pse i ka munguar infrastruktura, Vitia në katër vitet e fundit është një prej komunave që ka zhvilluar më së shumti aktivitete kulturore sportive në nivel vendi.

Shtëpia e kulturës ka qenë veç një gërmadhë midis qytetit, por me projektin e ri me Bashkimin Evropian kemi arrit ta rivitalizojmë kulmin, kurse me Ministrinë e Kulturës jemi duke e rivitalizuar tërësisht dhe mendojmë se do ju mundësojmë të gjitha shoqërive kulturore artistike të zhvillojnë aktivitetet e tyre.

Kurse sa i përket turizmit po mundohemi sa më tepër ta zhvillojmë. Grykën e Letnicës dhe Moravës kemi dy pikat kulminante si pika turistike, por edhe shumë vende tjera.

Ndërsa Vitia duhet vizituar pasi është komuna e dy shkollave të para shqipe, 1905 dhe 1908 në Stubëll dhe Pozharan. Është komunë që Nënë Tereza misionin e saj e ka filluar në Letnicë ku e vizitojë shumë pelegrinazh gjatë muajit gusht, është komunë që përshkohet nga lumi Morava dhe Letnica, komunë që ka dhënë shumë emra, si në çlirimin e vendit, por edhe në sport, politikë etj...

 Intervistoi: Hamëz Bytyqi