Pas rritjes së taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja, së pari në 10 % e më pas 100 % nga Qeveria e Kosovës, kanë nisur biznese të caktuara të ngritin çmimet. Të parët këtë gjë e bën furrtarët, kur rritën çmimin e bukës nga 30 cent në 40 cent, për çka ngjallën reagime jo veç tek qytetarët por edhe njerëz të institucioneve gjegjëse.

Valon Prestreshi, kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, pohon se detyrë e tyre është t’i parandalojnë ndërmarrjet që t’i bashkërendojnë aktivitetet dhe shfrytëzojnë situatën e krijuar për ngritjen e çmimeve.

Prestreshi në një intervistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com) thotë se kanë nisur punën në teren dhe nëse vërtetohet se biznese të caktuara janë  marrë vesh për rritjen e çmimeve do të dënohen sipas ligjit.

 

Gazeta Lajm: Siç e dini Qeveria Kosovës ka ngritur taksën nga 10 % në 100 % për produktet serbe dhe ato nga Bosnja. Ç’efekt do ketë ky vendim në tregun kosovar? Sa prek konsumatorët ?

Valon Prestreshi: Rritja e çmimit të produkteve nga ndërmarrjet pas vënies së taksës 10% nga Qeveria e Kosovës nga këndvështrimi ekonomik, ka qenë e pritur. Dhe në një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë kjo është tërësisht normale. Çdo ndërmarrje në ekonomi të tregut, kur qeveritë marrin masa mbrojtëse ndaj produkteve importuese, ndaj shteteve të caktuara, atëherë ndërmarrjet sillen sipas rrethanave të reja të paraqitura në treg.

Gazeta Lajm: Pas vendimit ka pasur rritje të çmimeve, konkretisht rritje të çmimit të bukës në Prishtinë dhe qytete tjera nga 30 në 40 cent. A keni informata deri më tani nëse ka një dakordim nga furrtarët për të rritur?

Valon Prestreshi: Ne besojmë që institucioni inicues i këtij vendimi, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka bërë një analizë paraprake të tregjeve përkatëse, dhe po i njëjti ka zgjidhje adekuate për situatën e krijuar në vend.

Gazeta Lajm: Nëse kanë marrëveshje të fshehtë furrtarët, por edhe ndërmarrjet tjera për rritje të çmimeve, ç’ndëshkime parasheh ligji?

Valon Prestreshi: Problemi kryesor nga këndvështrimi i konkurrencës është kur ndërmarrjet të cilat veprojnë në një treg të caktuar i ngritin çmimet në mënyrë të bashkërenduar duke u marr vesh me gojë apo me shkrim në formë të “kartelit”. Kartelet janë shkeljet më të rënda që Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës i ndalon dhe i sanksionon dhe abuzimi me pozitën dominuese.

Përgjegjësia e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, është t’i parandaloj ndërmarrjet që i bashkërendojnë aktivitetet e tyre dhe shfrytëzojnë situatën e krijuar për ngritjen e çmimeve në mënyrë të koordinuar, duke vendosur çmime të blerjes ose te shitjes apo kushte tjera tregtimi.

Po ashtu, ne si institucion kemi ngritur një grup punues të hetueseve për monitorimin e sjelljeve të ndërmarrjeve që potencialisht mund të bijnë ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Gazeta Lajm: Sigurisht se për të monitoruar gjithë situatën në treg pas këtij vendimi duhet të ketë një bashkërendim me institucionet gjegjëse. Ç’bashkëpunim keni aktualisht me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë?

Valon Prestreshi: Është mëse evidente që masa e vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës në 10% ndaj produkteve importuese, ka filluar t’i ç’rregulloj tregjet përkatëse, dhe shpresoj që iniciuesi ka hartuar ndonjë plan veprimi dhe ka bërë konsultime paraprake adekuate me shoqatat dhe odat e biznesit.

Gazeta Lajm: Cila është thirrja, apeli juaj për bizneset e vendit?

Valon Prestreshi: Ne i bëjmë thirrje biznesit tonë të sillen në mënyrë të përgjegjshme ndaj konsumatorit dhe mos ta keqpërdorin këtë momentumin e krijuar, dhe mos të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Intervistoi: Hamëz Bytyqi