Komuna e Junikut tre herë është shpërblyer me çmimin për performancën më të mirë të treguar në qeverisjen lokale në nivel vendi. Këtë çmim e mori më 2011-të, 2016 dhe 2017-të dhe synon ta marrë edhe sivjet.

Kreu i kësaj komune Agron Kuçi, si një prej më meritorëve, përveç që e quan ndjenjë të veçantë e krenarie, njëkohësisht thotë se kjo gjë është motiv shtesë dhe përgjegjësi për punë sa më të mirë ndaj qytetarëve, dhe se është arritur falë bashkëpunimit të mirë me gjithë stafin si dhe partnerët ndërkombëtarë e vendorë që ndihmuan që Juniku të jetë storie suksesi.

Kuçi në një intervistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com) tregon për punët që ka kryer gjatë dy mandateve të para si dhe projektet që synon t’i realizon deri në fund të këtij mandati, ndërsa pashmangshëm flet edhe për qeverinë “Haradinaj”.

 

Gazeta Lajm: Është mandati i tretë nëse nuk gaboj që udhëhiqni Junikun. Sa është e vështirë kaq gjatë të drejtoni një komunë?

Agron Kuçi: Jam kryetari i parë i komunës së Junikut dhe është dashur nga themelimi t’i vendosi bazat e administratës komunale, të hartoj dokumente strategjike, dhe t’i ofrojmë qytetarëve shërbime të përditshme, çka është sfidë jo e vogël.

Besoj se nga fillimi kam punuar me nder dhe në shërbim të qytetarëve dhe do të vazhdoj ta bëjë këtë.

Gazeta Lajm: Ç’projekte të mëdha keni realizuar gjatë dy mandateve të kaluara që vlen t’i përmendni? 

Agron Kuçi: Prej shumë projekteve të realizuara po i theksoj tre më kryesoret: është plani zhvillimor komunal, ndërtimi i shtratit të lumit Erenik si dhe hapja e rrugës për Gjeravicë, projekte që janë jashtëzakonisht domethënëse për zhvillimin ekonomik të komunës së Junikut.

Po ç’projekte keni në plan t’i realizoni gjatë këtij mandate? Pra ku do jetë fokusi juaj më i madh?

Agron Kuçi: Do jetë projekti i ndërtimit të rrugës së Gjeravicës, pasi shërben jo vetëm për zhvillimin e turizmit të Junikut por krejt Kosovës. Andaj ndërtimi i kësaj rruge duhet të jetë prioritet nacional.

Pastaj jemi duke e ndërtuar identitetin për Junikun turistik, ku do investojmë shumë edhe në trashëgimi kulturore sepse Juniku njihet për kullat e veta dhe mullinjtë, sepse mendojmë se Juniku do jetë qyteza më e mirë turistike në Kosovë.

Gazeta Lajm: Cilat janë problemet më të mëdha të junikasve? Si qëndrojnë punët në infrastrukturë arsim, shëndetësi, bujqësi…?

Agron Kuçi: Sa i përket infrastrukturës rrugore në fund të këtij viti nuk do të ketë asnjë centimetër rrugë lokale të pa asfaltuara, përfundon kanalizimi i ujërave të zeza, uji i pijes është i siguruar 100 %.

Shqetësimi më i madh është tek energjia elektrike pasi është një rrjet tejet i dobët elektrik, ndër sfidë e madhe është edhe papunësia që është e theksuar shumë.

Ndërkaq në arsim e kemi gjendjen e mirë sa i përket programeve, mësimdhënies, mësimnxënies, por infrastrukturën arsimore krejt nuk e kemi të rregulluar, pasi shkolla fillore në Junik nuk është në gjendje të mirë por kemi premtime se vitin e ardhshëm do të fillohet ndërtimi i objektit shkollor.

Gazeta Lajm: Qeveria udhëhiqet nga kreu i partisë suaj Ramush Haradinaj. A ka ndikuar kjo që komuna juaj të përkrahet më shumë me projekte? Pra sa keni pasur mbështetje deri tani?

Agron Kuçi: Ka një disponim të mirë, mund të them njëjtë si secila qeveri.

Kemi arrit për vitin e ardhshëm të kemi mbështetje nga Ministria e Infrastrukturës për asfaltimin e fazës së parë të rrugës Junik – Gjeravicë, që është në projekt buxhetin e qeverisë që ka kaluar në leximin e parë.

Kemi dërguar edhe për mbështetje të projekteve tjera, si ndërtimin e pallatit të kulturës, palestrës sportive, qendrës të regjistrimit civil pranë MPB-së.

Gazeta Lajm: A keni folur personalisht me kryetarin tuaj të partisë, njëherit kryeministrin Haradinaj për këto projekte?

Agron Kuçi: Natyrisht se e kam informuar kryeministrin për sfidat, si për rastin e energjisë elektrike, rrjetit të dobët dhe kërkesat e lartcekura. Ai është i preukopuar dhe i interesuar por Kosova ka prioritete edhe te komunat e tjera.

Gazeta Lajm: Komuna e Junikut nën drejtimin tuaj disa herë ka marrë çmimin për performancën më të mirë të treguar në qeverisjen lokale në nivel vendi. Si është ta fitosh këtë çmim dhe a pritni ta fitoni sërish?

Agron Kuçi: Komuna e Junikut në vitin 2011-të ka marrë vendin e parë për transparencë, ashtu edhe në vitet 2016 e 2017-të. Kjo është motiv shtesë dhe përgjegjësi për qytetarët, për kolegët, por këtë nuk e kam arritur vetëm por me gjithë stafin dhe partnerët ndërkombëtarë e vendor për çka ju jam falënderues, pasi suksesi i komunës së Junikut është sukses i përbashkët.

Gazeta Lajm: A pritni ta fitoni këtë çmim edhe sivjet?

Agron Kuçi: Jam i sigurt se edhe në vitin 2018-të do marrin çmimin e parës, sepse komuna e Junikut është një shembull, një sukses i zhvillimit lokal dhe shërbimit me qytetarë.

Ç’mendim keni për qeverinë “Haradinaj”?

Agron Kuçi: Konsideroj se qeveria “Haradinaj” është qeveri e aksionit, nuk ka shumë marketing, shumë propagandë, ka vendimmarrje.

Natyrisht se po ka një sfidë  se nuk po shkon mirë puna në Kuvend, pasi ka shqetësime, nuk po e lajnë aq problemet madhore që të merret me problemet jetike të banorëve të Kosovës, por ka sfida se është e ndërtuar nga shumë subjekte politike ku pastaj gërshetohen edhe interesa të ndryshme, por megjithatë Ramushi njihet si njeri vendimmarrës dhe pa komplekse dhe mendoj që deri tani gjërat po shkojnë mirë.   

Gazeta Lajm: Për fund, pse duhet turistët ta vizitojnë Junikun? A ka një pikë informuese turistike që të njoftohen turistët për vendet që duhet vizituar? Ju si kryetar cilat vende ja preferoni?

Agron Kuçi: Juniku shquhet për trashëgimi kulturore, siç e përmenda më lart, kullat, mullinjtë, pastaj kemi edhe dy monumente fetare, që është Teçja e Sheh Xhaferit që është me të vërtetë monument i bukur, pastaj është Xhamia e Çokut, që paraqet një xhami prej më të vjetrave në Kosovës, llogaritet të jetë e pesta më e vjetra, pastaj kanioni i lumit Erenik, ku natyra është vërtetë e bukur, pastaj Gjeravica si maja më e lartë në Kosovë, liqejtë e Gjeravicës, pyjet e Juniku që janë 600 vjeçare.

Duhet thënë se kemi qendrën informative turistike “Shihemi në Dukagjin” dhe jemi në ndërtim e sipër të shtëpisë alpinike që do jetë një komplementar i qendrës informative turistike në Junik.

Mendoj se Juniku paraqet një potencial të shkëlqyeshëm qoftë për turistët vendorë e ata ndërkombëtarë.

 

Intervistoi: Hamëz Bytyqi