Është në mandatin e parë si kryetar i komunës së Klinës. Thotë se nga ish-qeverisja e kaluar, ka trashëguar dy probleme të mëdha, mungesën e ujit të pijes dhe trajtimin e ujërave të zeza. Kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj, premton se këto dy çështje do t’i zgjidh deri në fund të mandatit.

Elezaj, në një intervistë për Gazetën Lajm (www.gaztalajm.com) tregon se ç’punë ka bërë që nga marrja e mandatit, flet poashtu për çështjen e gurëthyesve, për premtimin e dhënë gjatë fushatës zgjedhore se do të investojë 1 milion euro në bujqësi si dhe çështje tjera.

 

Gazeta Lajm: Jeni në mandatin e parë si kryetar i Klinës. Ç’probleme keni trashëguar nga ish-qeverisja, në cilat fusha më shumë dhe sa po arrini t’i zgjidhni ato?

Zenun Elezaj: Çështja e furnizimit me ujë të pijes dhe impiantet për trajtimin e ujërave të zeza. Këto janë dy çështjet kryesore të trashëguara, me të cilat probleme jemi duke u marrë, por zgjidhja e tyre kërkon kohë. Për sa i përket ujit të pijes po punojmë në dy plane: mundësia e furnizimit nga burimi i Lumit Istog dhe ndërtimi i liqenit akumulues nga “Ura e Hekurit deri te Restoranti Feniks” dhe hapja e puseve të furnizimit me ujë për rreth liqenit.

Gazeta Lajm: Mungesa e rrjetit të ujësjellësit në disa fshatra të Klinës vazhdon të jetë problem. Kur pritni ta zgjidhni këtë?

Zenun Elezaj: Gjatë vitit 2018 kemi arritur që të funksionalizojmë furnizimin me ujë të pijes për fshatrat: Sferkë, Volljakë, Dush dhe Çupevë. Me projektin e financuar nga ana e CDI është paraparë shtrirja e rrjetit të ujësjellësit për fshatrat e mbetura të Komunës së Klinës: Përqevë, Gllarevë, Gjurgjevik i Madh, Dobërdol, Rixhevë, Stapanicë, Qabiq, Cerovik dhe Stupë. Projekti është i parapar të implementohet gjatë vitit 2019.

Gazeta Lajm: Pluhuri nga gurëthyesit poashtu është një tjetër problem jo i vogël. Si komunë sa po arrini të inspektoni këto kompani për të kuptuar nëse po ndërmarrin masat e duhura për të mos shkaktuar rreziqe të ndryshme?

Zenun Elezaj: Licencimi i kompanive operuese me gurëthyes është kompetencë e KPMM-së. Komuna në këtë rast pajis kompanitë me pëlqim komunal. Komuna është e përkushtuar që të monitoroj këtë proces, por ne do të insistojmë që KPMM të jetë më e përkushtuar të obligoj kompanitë e gurëthyesve të pajisen me sisteme për thithjen e pluhurit.

Gazeta Lajm: Po bëhen një vit kur keni marrë mandatin. Cilat janë punët e prekshme që keni bërë?

Zenun Elezaj: Investime të mëdha në infrastrukturën rrugore, kanalizime të ujërave të zeza, ujësjellës, ambiente shkollore, pastrimin e zonave me deponi ilegale, ndërtimin e parkingjeve, renovimin komplet të objektit të komunës etj.

Gazeta Lajm: Ju gjatë fushatës zgjedhore keni premtuar 1 milion euro investime në bujqësi. Kur pritet të jetësohet ky premtim?

Zenun Elezaj: Ideja ka qenë që për çdo vit të kemi rreth 250000 euro investime. Për vitin 2019 do ta realizojmë këtë synim dhe do të vazhdojmë në vitet vijuese.

Gazeta Lajm: Cilat janë projektet më madhore që synoni t’i realizoni deri në fund të mandatit?

Zenun Elezaj: Furnizimi me ujë të pijes dhe impiantet për trajtimin e ujërave të zeza.

Gazeta Lajm: Për fund, dihet se në fshatin Dresnik është zbuluar një pasuri arkeologjike. Sa po i shihni gjetjet e deritanishme si potencial për zhvillimin e turizmit. Pra ç’plan keni për këtë gjë?

Zenun Elezaj: Jemi duke përgatitur një projekt për të aplikuar në fondet e IPA, si potencial për zhvillimin  e turizmit.

 

Intervistoi: Hamëz Bytyqi