Është në mandatin e katërt si kryetar i Shtimes. E pranon se kur ka fituar mandatin e parë nuk ka besuar se do qëndron kaq gjatë si i pari i këtij qyteti, por thotë se besimi i qytetarëve ka bërë të mos heq dorë. Fjala është për kreun e Shtimes, Naim Ismajli, i cili pohon se gjatë viteve të qeverisjes së tij ka bërë shumë punë të mëdha për qytetin e fshatrat, ndërsa premton se do vazhdojë punën deri në fund të mandatit që të zbut sa më shumë problemet e qytetarëve.

Ismajli në një intervistë për Gazeta Lajm (www.gazetalajm.com) tregon konkretisht se cilat janë projektet më madhore që ka realizuar, me cilat probleme ballafaqohen bashkëqytetarët e tij, ndërsa flet edhe për atë se sa po gjen mbështetje nga qeveria “Haradinaj”.

 

Gazeta Lajm: Jeni në mandatin e katërt nëse nuk gabohem. A keni menduar se do qëndroni kaq gjatë në krye të komunës dhe sa është e vështirë kjo?

Naim Ismaili: Fillimisht më lejoni t’ju përshëndes ju dhe lexuesit tuaj, faleminderit për bashkëpunimin! Sa i përket pyetjes tuaj, është e vërtetë se është mandati i katërt si kryetar dhe se nuk e kam menduar se do të qëndroj kaq gjatë, mirëpo rrethanat shoqërore dhe besimi i qytetarëve ka bërë që unë të jem deri më sot kryetar i Komunës së Shtimes. Është sfiduese, mirëpo me angazhimin e përbashkët të shumë bashkëpunëtorëve, stafit dhe kuptohet përkrahjes nga ana e qytetarëve dhe vullnetit për punë arrihet gjithçka.

Gazeta Lajm: Cilat janë projektet më madhore që keni realizuar gjatë këtyre viteve? A mund të përmendni tre prej tyre, për çka do kujtoheni përherë nga qytetarët?

Naim Ismaili: Pasiqë jemi një kohë të gjatë në qeverisje, pothuajse janë realizuar shumë projekte me rëndësi në komunën e Shtimes, mirëpo vlen të përmendet se komuna jonë ka qenë pothuajse e shkatërruar tërësisht nga lufta dhe të gjitha projektet e mëdha janë realizuar nga qeverisja ime, ndërsa në veçanti kisha përmendur: Rregullimi i infrastrukturës rrugore në të gjitha fshatrat (95%) e territorit e asfaltuar, ndërtimi i njëmbëdhjetë shkollave dhe dy Institucioneve Parashkollore dhe renovimi i shumë prej tyre në të gjitha fshatrat e Shtimes, ndërtimi i objekteve kryesore kulturore-sportive (Shtëpia e Kulturës në Shtimes, Palestra Sportive, Fusha e Futbollit, Muzeu i Qytetit, Kompleksi Përkujtimor Reçak, Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së etj). Ndërsa vitet e fundit janë realizuar mbi 50 projekte me rëndësi, ndërsa do të veçoja trotuarin për çiklistë dhe ndriçimin publik në rrugën kryesore të qytetit, shtegun për këmbësorë dhe çiklistë nga fshati Petrovë deri në Llanisht për zhvillimin e turizmit malor, fillimi i Hartave Zonale Komunale dhe Plani Zhvillimor Komunal, fushat sportive për të gjitha fshatrat dhe parqet për disa fshatra. Pritet të filloj projekti shumë me rëndësi ndërtimi i Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza projekt ky shumë me rëndësi për qytetarët e komunës, por në veçanti mbrojtjen e ambientit.

Gazeta Lajm: Cilat janë problemet kryesore me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës suaj. Pra cilat sfida keni para vetës?

Naim Ismaili: Njëri ndër problemet kryesore që ballafaqohet komuna e Shtimes, pothuajse e lidhur ngushtë me zhvillimet e vendit është zhvillimi ekonomik dhe papunësia. Edhe pse si institucione kemi bërë mjaftë duke krijuar dy Zona Ekonomike, njëra funksionale me mbi 10 biznese të mëdha aktive, ndërsa Zona tjetër në proces e sipër, me të cilin veprim jemi munduar të zbusim këto probleme. Tjetër sfidë mbetet edhe buxheti i kufizuar dhe i vogël i Komunës.

Gazeta Lajm: Cilat do të jenë prioritetet tuaja gjatë këtij mandati?

Naim Ismaili: Prioritetet janë të fokusuara në fushën e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, mbrojtjen e ambientit, promovimi i projekteve që lidhen me ambientin, duke mos anashkaluar edhe fushat tjera siç është ajo kulturo-sportive.

Gazeta Lajm: Cilat janë raportet me qeverinë “Haradinaj”? Sa i është përgjigjur kjo e fundit me përkrahje financiare nevojave të komunës suaj?

Naim Ismaili: Meqë Qeveria e Republikës së Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e një koalicioni e që si subjekt politik përfaqësohemi edhe ne (PDK) mendoj se raportet janë të shëndosha, përkrahja financiare është krahas angazhimit dhe kërkesave që ne shtrojmë, mirëpo mendoj se duke marrë parasysh se të hyrat tona janë të kufizuara kemi nevojë për përkrahje edhe më të madhe pasiqë varemi  nga fondet e Qeverisë dhe në vitet në vijim pres përkrahje më të madhe në realizimin e kërkesave tona për projektet në të mirë të qytetarëve të Shtimes.

Gazeta Lajm: Si është gjendja e infrastrukturës, shëndetësisë, bujqësisë?

Naim Ismaili: Ashtu siç e kam përmendur më lartë, mund të them se në fushën e infrastrukturës qëndrojmë mirë dhe se pothuajse kërkesat më të mëdha janë përmbyllur edhe pse ato janë të vazhdueshme pasiqë gjithmonë qyteti dhe lagjet shkojnë duke u zgjeruar dhe krahas zgjerimit, ndërtimit shtrohen edhe kërkesa të reja karshi nesh për infrastrukturë, mirëpo mund të them se në fushën e infrastrukturës rrugore qëndrojmë shumë mirë, kanalizim dhe ujësjellës nuk jemi keq, mirëpo jemi në fazën e investimeve të projekteve me donatorë të ndryshëm që do të përmirësojë dukshëm këtë fushë.

Sa i përket fushës së shëndetësisë ne kemi realizuar projekte që kanë përmirësuar dukshëm kushtet e punës por njëherë edhe ofrimin e shërbimeve për banorët e Shtimes. E para është që aty kemi një staf profesional dhe të qëndrueshëm sipas udhëzimeve dhe normave që kërkohen, e dyta infrastrukturën e re ku në vitin e kaluar kemi promovuar Objektin e ri të QKMF-së dhe Urgjencës, kemi realizuar me donatorë furnizimin me paisje të reja mjekësore, ndërsa njëra prej tyre është edhe Rëntgeni me modern i realizuar me Qeverinë Japoneze në vlerë prej rreth 60 mijë eurove si dhe vlen të përmendet ofrimi i shërbimeve në bashkëpunim me OJQ Caritas për ofrimin e shërbimeve mjekësore shtëpiake dhe kujdesin për personat në moshë të shtyrë dhe pa përkujdesje.

Në fushën e bujqësisë kryesisht kemi fermerë mjaft aktiv dhe përfitues të granteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa ne si Komunë po mundohemi që nëpërmjet subvencioneve të cilat janë të kufizuara për shkak të udhëzimit për ndarjen e subvencioneve ndihmojmë dhe përkrahim fermerët si p.sh. gjatë këtij muaji kemi realizuar ndarjen e mëshqerrave për 30 fermerë, ndërsa në kuadër të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik janë ndarë pajisje dhe mjete bujqësore për fermerë të rinj dhe studentë si p.sh. makina mjelëse, makina bujqësore, makina për përpunimin e qumështit etj. Zyra për Bujqësi ofron përkrahje të vazhdueshme më këshillim dhe ofrimin e këshillave për fermerët e komunës së Shtimes.

Gazeta Lajm: Një problematikë për shumicën e komunave është edhe mungesa e trajtimit të ujërave të zeza por edhe problemet me gurëthyes. Ku qëndroni si komunë?

Naim Ismaili: Sa i përket trajtimit të ujërave të zeza, ne kemi aprovuar si Komunë dhe si Kuvend një vendim dhe projekt, i cili do të realizohet në bashkëpunim me Bankën Austriake në vlerë prej rreth 5 milion eurove, huamarrje pa kamatë për projektin “Ndërtimi i Kolektorit për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Shtimes”, projekt i cili është duke pritur fazën finale për aprovim në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Kuvend.

Gazeta Lajm: Po si është gjendja në sport dhe kulturë?

Naim Ismaili: Mund të themi se kemi përmbyllur infrastrukturën dhe javë më parë kemi përuruar Fushën e Futbollit e realizuar nga MKRS në bashkëpunim me ne, ndërsa jemi në fazën përfundimtare të investimeve dhe përurimin e Palestrës Sportive e cila përmbush të gjitha kriteret për realizimin e lojërave sportive por edhe plotëson kushtet dhe standardet evropiane, gjithashtu kemi investuar në terene sportive dhe aktivitete sportive në disa fshatra të komunës së Shtimes.  Kemi klube sportive mjaft aktive si në futboll, hendboll, volejboll, kik boks, karate etj.

Në fushën e kulturës jemi mirë dhe jemi në implementim të një plani disa vjeçar për aktivitete i hartuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, kemi mjaftë OJQ rinore të cilat janë shumë aktive, në kuadër të Shtëpisë së Kulturës kemi edhe shfaqje teatrale të cilat realizohen shpesh, mandej shënimin e datave me rëndësi etj.

 

Intervistoi: Hamëz Bytyqi