Liberalizim të vizave, përfundim të dialogut Kosovë-Serbi dhe vende të reja të punës, janë disa nga pritjet që qytetarët kanë për vitin që sapo kemi hyrë.

Lëvizja e lirë që qytetarëve për vite më radhë iu është premtuar, vazhdon të mbetet si një nga kërkesat kryesore që qytetarët kanë për institucionet e Kosovës. Madje, ata shpresojnë që liberalizimi do të ndodh brenda këtij viti, përkundër që komisioneri i BE-së Johanes Hahn, kishte deklaruar që lëvizja e lirë mund të ndodh tek në vitin 2020.

Qytetari Ramadan Bllaca, nga Prishtina është shprehur i bindur se 2019-ta do të jetë viti kur liberalizimi i vizave do të ndodh.

Bllaca: Besoj që këtë vit do të bëhet liberalizimi

Prej vitit 2019 presim gjithë të mirat që duhet me qenë për shqiptarët në përgjithësi… Me na pyet neve kish me ndodh më herët, po tash po pyeten të tjerët e na vonuan pak. Por, besoj që këtë vit do të bëhet”, u shpreh ai.

Por, ka edhe të atillë që thonë se lëvizja e lirë për kosovarët nuk do të ndodh njëherë. Një nga ta është qytetari Besart Sylejmani nga Fushë Kosova, i cili thotë se liberalizimi është vetëm premtim që nuk do të realizohet.

Sylejmani: Liberalizimi veç premtiM

“Jo, nuk ka shans, shans nuk ka me ndodh një herë liberalizimi i vizave pse veç premtime, premtime, prej mbas luftës veç premtime edhe ky premtim është. Kjo nuk realizohet një herë për një herë”, tha ai.

Një nga dëshirat e qytetarit Osman Vitia për vitin 2019 është përfundimi i dialogut Kosovë-Serbi me një marrëveshje ligjërisht obliguese për të dyja vendet.

Po ashtu, ai pret që 2019-ta të sjell edhe më shumë zhvillim ekonomik dhe realizim të projekteve që hapin vende të reja të punës.

Vitia: Të përfundojnë këto negociatat Kosova-Serbi

“Po shpresoj që të përfundojnë këto negociatat Kosova-Serbi dhe të zgjidhet një herë e përgjithmonë ky problem që po e kushtëzon Kosovën me integrime evropiane dhe botërore. Të bëhet një zgjidhje, kuptohet zgjidhje kushtetuese e jo copëtim e shitje e humbje të territorit. Pastaj, liberalizimi i vizave të ndodh sa më shpejt, të ketë një përmirësim në gjendjen sociale të qytetarëve, të ketë zhvillim ekonomik më të madh”, është shprehur ai.

Ndërkaq, Zyhrije Sylejmani, pret që këtë vit të krijohen më shumë vende pune për të rinjtë e Kosovës.

Sylejmani: Po presim diçka më mirë për të rinjtë, punësim

“Po presim diçka më mirë për të rinjtë, punësim. Jo veç premtime e kurrkund nuk ka diçka mirë. Premtime në 2016, 2017, 2018, tash po presim diçka ishalla bëhet më mirë. Ishalla bëhet mirë dhe i mbajnë ato premtime që po i flasin”, tha ajo.

Por, ka edhe qytetarë që shprehet të zhgënjyer nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Një nga ta është Selatin Fazliu, i cili thotë se derisa të ndërrohet e gjithë klasa politike aktuale nuk do të ndodh ndonjë gjë e mirë për Kosovën.

Fazliu: nëse nuk ndërrohet kjo udhëheqësi ka me qenë edhe më zi

“Çka kemi me prit, nëse ndërrohet kjo udhëheqësi ka me u bë mirë, nëse nuk ndërrohet ka me qenë edhe më zi”, ka thënë ai.

Përkundër që viti që e lamë pas është cilësuar si vit kur për qytetarët e Kosovës do të ndodh liberalizimi i vizave, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Rrjedhimisht kjo dëshirë e qytetarëve për lëvizje të lirë është përcjellë edhe për këtë vit.