Zyrtarët verikoreanë që kryejnë abuzime seksuale kundër grave nuk ndëshkohen pothuajse asnjëherë, është thënë në gjetjet e raportit të ri të Vëzhguesit për të Drejtat e Njeriut (HRW)
 

Zyrtarët verikoreanë që kryejnë abuzime seksuale kundër grave nuk ndëshkohen pothuajse asnjëherë, është thënë në gjetjet e raportit të ri të Vëzhguesit për të Drejtat e Njeriut (HRW).

Kjo Organizatë ka thënë se abuzimet e tilla janë aq të shpeshta sa kanë nisur të konsiderohen pjesë e përditshmërisë.

Raporti bazohet në intervistat e 62 verikoreanëve që janë larguar nga shteti dhe kanë ofruar detaje të dhunimeve dhe abuzimeve tjera.

Sipas të gjeturave, abuzimet kryhen haptas dhe burrat në pozita janë kryesit e tyre.

“Ata na konsiderojnë neve lodra (seksi). Ne jemi në mëshirën e burrave”, ka thënë 40 vjeçarja, Oh Jung-hee.

“Ndonjëherë, pa ndonjë shkas, filloni të qani natën dhe nuk e dini se pse”.

Megjithatë, mbledhja e informacioneve nga ky shtet është proces jashtëzakonisht i vështirë dhe raportet e këtij lloji janë shumë të rralla.

Në raport po ashtu është përmendur se mungesa e edukimit seksual dhe moskontrollimi i abuzimit me pushtetin, janë vetëm disa prej shkaqeve të këtij lloji të mendësisë.

Në mesin e kryesve të këtyre veprave janë përmendur zyrtarë partish, roje të burgjeve, policë dhe ushtarë.

Prandaj, të intervistuarat kanë thënë se kur një zyrtar “zgjedh” një grua, ajo nuk nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të zbatojë urdhrat.

Vëzhguesi për të Drejtat e Njeriut i ka bërë thirrje Koresë Veriore “të pranojë problemin e abuzimeve seksuale” dhe të sigurojë se është duke u trajtuar si “krim”.

Ndërkohë të gjetura të ngjashme ka prezantuar edhe një raport i Kombeve të Bashkuara më 2014, në të cilin është thënë se Qeveria Koreane ka kryer “shkelje të të drejtave të njeriut në mënyrë sistematike”.