Shemsi Gajtani, si imam i xhamisë së Janjevës, ëahtë dënuar me tetë muaj burg me kusht për përfitimit të kundërligjshëm duke prezantuar rrejshëm kuponët e pagesave për kurban. Sipas aktakuzuës, të gjithë kuponët e lëshuar nga imami kanë pasur numrin e njëjtë serik dhe kanë qenë të lëshuar në fotokopje.

Ish-imami në fshatin Janjevë të Lipjanit, Shemsi Gajtani është shpallur fajtor për keqpërdorim të besimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën, e ka dënuar atë me tetë muaj burgim me kusht, por ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai brenda një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimin ndaj tij e ka shpallur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli.

Ai është obliguar t’i paguaj edhe shpenzimet e procedurës që do të përcaktohen nga gjykata dhe paushallin gjyqësor në vlerë prej 100 euro.

Kurse, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Në seancën e mbajtur më 21 shkurt, i akuzuari Gajtani kishte mohuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.

Në fjalën përfundimtare të tij, ai kishte deklaruar se betohet para zotit dhe ligjit, se asnjëherë nuk kishte keqpërdorur paratë e besimtarëve.

Ndryshe nga ai, prokurorja e rastit, Dulina Hamiti kishte kërkuar dënimin e tij.

Ish-imami i fshatit Janjevë, Shemsi Gajtani fillimisht akuzohej për veprën penale të mashtrimit në detyrë, por në seancën e mbajtur më 19 korrik të vitit 2018, ndaj tij ishte bërë ricilësimi i veprës penale në atë të keqpërdorimit të besimit.

Prokurori Tunuzliu, kishte thënë se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës para këtij shqyrtimi, ka gjetur se i pandehuri nuk mund të ketë cilësinë e personit zyrtar.

Si pasojë e kësaj, sipas tij, rrethanat tjera që janë përshkruar në dispozitiv të aktakuzës konsideron se korrespondojnë me elementet e veprës penale “keqpërdorimi i besimit”, nga neni 343 par 2 lidhur me par 1 të KPK-së.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 28 prill të vitit 2014, i pandehuri Shemsi Gajtani, si imam i xhamisë së Janjevës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka prezantuar rrejshëm kuponët e pagesave të cilët kishin paguar nga 100 euro për kurban, me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari u kishte dorëzuar kuponë në vlerë të njëjtë prej 100 euro, Avdullah Kongjelit, Lutfi Bikliqit, Haxhi Esat Bislimit, si dhe Naim e Mentor Bislimit.

Sipas aktit akuzues, të gjithë kuponët e lëshuar nga ai kanë pasur numrin e njëjtë serik dhe kanë qenë të lëshuar në fotokopje. Aktakuza thotë se i akuzuari u ka lëshuar së paku edhe pesë personave të tjerë kuponë të njëjtë në emër të po atyre pagesave të cekura më lartë, të cilët nuk i kanë ruajtur të njëjtat dhe për këtë arsye për shumat e tjera nga ana e prokurorisë i akuzuari nuk është ngarkuar. Sipas aktakuzës, i pandehuri thotë se këta kuponë i kishte lëshuar me pretekstin që nuk ka pasur kuponë të tjerë.