SHBA dhe Serbia do t’i ekstradojnë shtetasit njëra tjetrës nëse ndonjëra prej tyre e kërkon dikë për vepra penale të kërcënuar me dënim së paku prej një viti burgim. Ky është thelbi i Kontratës në mes Serbisë dhe Amerikës për ekstradim i cili është në rend dite të Kuvendit të Serbisë.

A do të arrihet më në fund drejtësia për rastin e vëllezërve Bytyçi

Dokumenti ka shkaktuar polemikë në Serbi për atë se a fshihet në këtë kontratë qëllimi për ekstradimin e të dyshuarve për vrasjen e vëllezërve Bytyçi në korrik të vitit 1999, dhe për sulm në përfaqësinë diplomatike amerikane në Beograd në vitin 2008 me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për  zgjidhjen e këtyre dy rasteve insistojnë të gjitha administratat të Shtëpisë së Bardhë. Kohë më parë Departamenti i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në SHBA Dragan Radosavljeviq Gurit dhe anëtarëve të familjes së tij, nën dyshimin se ish komandanti i xhandarmerisë është i lidhur me vrasjen mizore të vëllezërve Bytyçi.

Mirëpo, Serbia edhe njëherë do të përpiqet të mos i plotësojë obligimet të cilat i merr me nënshkrim të kontratave ndërkombëtare.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, “parimi Non bis in idem (askush nuk mund të dënohet apo që kundër tij të zhvillohet procedura dy herë për vepër të njëjtë penale), është i garantuar me Kushtetutë të Serbisë”.

“Kjo do të thotë se ata të cilët janë liruar në rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi dhe djegies së ambasadës së SHBA nuk mund të gjykohen përsëri në Amerikë. Mirëpo, sipas kësaj ministrie, SHBA eventualisht mund të kërkojë njerëzit tjerë për të cilët dyshojnë se kanë kryer krime. Serbia ka të drejtë të refuzojë ekstradimin eventual të dyshuarve për vrasjen e vëllezërve Bytyçi”, pretendohet në këtë ministri.

Lideri i radikalëve serb, dhe krimineli i dënuar lufte, Vojisllav Sheshel ka thënë se parlamenti nuk guxon ta miratojë këtë kontratë.

“Së pari do të pasojë kërkesa për ekstradim të vrasësve të vëllezërve Bytyçi, por jo ata për të cilët organet e Serbisë konstatojnë se janë kryerësit, por ata për të cilët amerikanët thonë se janë të dyshuar. Pastaj do të kërkojnë ekstradimin e të dyshuarve për djegie të ambasadës, e në këtë kërkesë do të duhet të përgjigjemi se do t’i ekstradojmë vetëm atëherë kur SHBA i ekstradojnë përgjegjësit për bombardimin e ambasadës kineze në Beograd në vitin 1999”.