Fenomeni i tmerrshëm i luftërave mes qenve vazhdon të jetë sinonim i argëtimit për shumë kosovarë. Prej pjesmarrësve në organizim, njoftimeve në Facebook, shikuesve përreth e deri te CD-të në treg, dëshmohet lehtë se shumë kosovarë janë të apasionuar për t’i parë qentë duke u përgjakur mes vete. Pronarët e qenëve zakonisht vënë baste me shuma të mëdha parash për fituesit e garave. Ndërsa Policia nuk është marrë asnjëherë seriozisht me këtë veprimtari të paligjshme.

Luftërat e qenve – shfaqjet tmerruese para së cilave po hesht Policia e Kosovës

Në javën e parë të këtij viti, viktimë e luftës mes qenve u bë një qen në Rahovec. Ai kishte ngordhur pasi disa persona e kishin nxitur të luftonte me një qen tjetër, pronari i të cilit më pas çmohej lart nga ‘dashamirët’ e këtyre luftrave.

Njësoj si qeni në Rahovec, e kanë pësuar edhe shumë qenë të tjerë për vite me radhë. Fotografi dhe video nga këto luftëra shpërndahen në masë të madhe në Facebook dhe YouTube. Në bazë të videove dhe informatave që shpërndahen nëpër grupet e mbyllura për garat me kafshë, mësohet se si organizatorët u japin substanca qenve për t’i përgatitur për luftë.

Pronarët që i nxisin qentë e tyre të luftojnë, vënë zakonisht baste për fituesin (pronarin e qenit fitues) në shuma të mëdha parash. Në disa raste, kjo veprimtari konsiderohet edhe si profesion.

Në bazë të ligjit për përkujdesjen ndaj kafshëve, kjo veprimtari konsiderohet e paligjshme. Oragnizimi i garave me qenë është i dënueshëm me gjobën prej 100 deri 5.000 euro.

Megjithatë, Policia e Kosovës nuk ka treguar se çfarë masash ka ndërmarrë për parandalimin e këtyre organizimeve dhe ndaj personave që maltretojnë qentë.

Gazeta Insajderi ka hulumtuar këtë dukuri dhe në vazhdim sjell informatat se kush janë personat më të njohur që organizojnë luftërat mes qenve dhe se si këto aktivitet të tyre ata i bëjnë publike në rrejtet sociale.

 

Klika e abuzuesve më të njohur të qenve në Kosovë

Hajridin Gushi (siç njihet në Facebook) është një prej abuzuesve më të mëdhenj të qenve. Ai posedon një ‘fabrikë’ të qenve, të cilët i mbarëson, i përgatit dhe i shet ekskluzivisht për luftëra. Hajridini ka shumë klientë të cilët kërkojnë qenë nga ai.

Foto: Hajridin Gushi me dy qentë e tij.

Insajderi mëson se edhe në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, një djalë i cili quhet Astrit, mbarëson gjithashtu qenë të racës pitbull dhe i shet për luftëra. Ai, madje, qentë e tij i nxitë të luftojnë edhe në oborrin e tij, ku i dhunon në baza ditore.

Një tjetër luftënxitës i njohur i qenve është edhe Xhavit Matoshi nga Ferizaj. Me emrin “Gladiatori Ferizaj Championi”, ai bashkë me Driton Asllanajn nga Skenderaj në një grup në Facebook kanë kërkuar vazhdimisht kundërshtarë për luftëra të qenve.

Fevzi Gashi nga Suhareka, krenar me këtë veprimtari, kishte postuar një foto me një trofe të cilin e kishte fituar pasi qeni i tij ishte shpallur kampion në një luftë. Fevziu gjithashtu njihet si organizator i këtyre luftërave.

Foto: Fevzi Gashi para rreth një viti duke festuar fitoren e qenit të tij

Adil Hasanaj nga Deçani është një tjetër abuzues i qenve i cili është raportuar shumë herë në polici, derisa pas kësaj, kërcënonte ‘spiunët’ që e kishin denoncuar.

 

Foto: Adil Hasanaj / kërcënimi i tij

Kërcenimeve të Adilit i jep mbështetje Bujar Qupeva, djali i Sadik Qupevës nga Klina, si një prej më të njohurve për organizimin dhe pjesëmarrjen në luftërat e qenve.

Disa prej këtyre abuzuesve, qentë i përgatisin për luftë duke i dopinguar me glicerinë dhe nitroglicerinë.

Insajderi ka mësuar se një person nga Lipjani, kishte incizuar fshehtazi një tifoz të qenit të Sadik Qupevës, teksa ai tregonte se ia ka dhënë qenin e tij Sadikut, meqenëse ai kishte dëshmuar luftë të mirë disa herë. Si substancë për përgatitjen e qenve për lufte, ai përmend nitroglicerinën, duke thënë se nëse e dopingon një qen, ai nuk ka mundësi ta humbasë luftën.

Foto: Sadik Qupeva duke festuar fitorën e qenit të tij në një luftë në marst të vitit 2018.

Në të njëjtën video, një tjetër person e pranonte se në këtë formë i kishte përgatitur për luftë qentë e Isë Kryshecit, një tjetër abuzues i njohur i qenve, derisa sygjeron që këto substanca stimulative tu jepen qenve dy herë në ditë.

Videot fillimisht ishin postuar në Facebook por tani llogaria e personit që i kishte publikuar është fshirë.

Insajderi mëson se pothuajse të gjithë këta, edhe pse jetojnë në vende të ndrsyhme, njihen me njëri-tjetrin dhe organzohen për ‘kampionate’ dhe luftëra mes qenve. Këto zakonisht i paralajmërojnë në Facebook, ku marrin vëmendje të madhe nga ata të cilët përcjellin me entuziazëm luftërat mes qenve.

Se kjo veprimtari konsiderohet argëtim, nga disa edhe sport, e dëshmon edhe fakti se në tregun e së shtunës në Ferizaj, shiten edhe CD me luftëra të qenve. Madje, disa vjet më parë, luftëra me qenë organizoheshin edhe në stadiumin “Ismet Shabani” të këtij Ferizajt, ku kishte më shumë shikueshmëri sesa një ndeshje futbolli.

Luftërat mes qenve në stadiumin Ismet Shabani në Ferizaj.

Abuzimi me qenë është i dënueshëm me ligj.

Në bazë të ligjit për përkujdesjen ndaj kafshëve, neni 5, pika 5.1 shënohet se personi që mban çfarëdo kafshe apo kujdeset për kafshën, do të jetë përgjegjës për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e saj.

Ligji specifikon se personi i përfshirë në mbarështimin e kafshëve është përgjegjës për ruajtjen e karakteristikave anatomike, fiziologjike dhe të sjelljes së kafshës, të cilat mund të vejnë në rrezik shëndetin apo mirëqenien e të vegjëlve apo prindërve.

Ndërkaq organizimi i garave në të cilat testohet shpejtësia apo fuqia e kafshës, me ç’rast kafsha mund të pësojë dhembje, lëndime apo ngordhje mund të lejohet vetëm në rastet kur kjo është në pajtim me dispozitat ligjore, akteve nënligjore dhe nën kontrollin e SHVUK-së, thuhet në kreun IV të ligjit për përkujdesje ndaj kafshëve.

Dispozitat ndëshkimore në rast të shkeljeve të këtyre ligjeve parashikojnë gjobë prej 100 deri 5.000 euro personi që.

Policia nuk i ndëshkon abuzuesit

Edhepse për këto raste në Policinë e Kosovës  kishin deklaruar se çdo shkelës do të trajtohej sipas ligjit, asnjëherë nuk është bërë e ditur se çfarë masash kanë marrë për t’i ndalur këto luftëra.

Insajderi ka pyetur Policinë nëse kanë shqiptuar ndonjë dënim, nëse është arrestuar apo burgosur ndonjëherë dikush për këtë fenomen. Megjithatë Policia nuk ka kthyer përgjigjje.

Kur Insajderi kishte raportuar për një luftë qenësh që ishte zhvilluar në Xërxë të Rahovecit, ku disa persona javë më parë shiheshin duke u argëtuar teksa nxisnin 2 qenë që të luftojnë në mes të rrugës, kishte reaguar kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Përmes një urdhërese, Latifi kishte obliguar organet kompetente që ta ndalojnë keqtrajtimin e kafshëve dhe specifikisht organizimin e luftërave mes qenve.

Edhe aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve i dërguan një kërkesë Qeverisë dhe Komunave për t’i ndalur luftërat e qenve. Ata kanë shprehur dëshpërimin e tyre nga heshtja institucionale përpall këtij fenomeni.

“Duke qenë dëshmitarë se në Kosovë, një numër i madh individësh organizojnë luftëra mes qenve dhe vejnë baste që arrijnë shuma të mëdha për “fituesin” (pronari i qenit i cili fiton luftën), iu bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës, por me theks të veçantë, të gjitha Komunave të Republikës së Kosovës, që të ndërmarrin masa strikte dhe të menjëhershme për të parandaluar abuzimet e qenve, që iu bëhen duke i vënë në luftë apo garë me qenë të tjerë”.

“Për rregullimin e kësaj fushe, Kosova ka infrastrukturë ligjore që e ndalon organizimin e garave ku testohet fuqia e kafshës dhe që mund të rezultojë me dhimbje, lëndime apo ngordhje. Ne jemi thellësisht të dëshpëruar nga heshtja institucionale karshi këtij fenomeni barbarie që organizohet në shumicën e rasteve nga vetë shoqëruesit/pronarët e qenve (pikërisht nga individë që e kanë detyrë të sigurojnë mirëqenien fizike dhe psikike të kafshës që e kanë nën përkujdesje)”, thuhej në kërkesën e rrjetit të organizatave për mbrojtjen e kafshëve.

Pas kërkesave të aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve kishin reaguar edhe Komuna e Pejës dhe ajo e Gjakovës. Përmes urdhëresave, kryetarët e të dy komunave kishin kërkuar nga Policia dhe Drejtoria për Inspektim që të përkujdesen për zbatimin e ligjit për përkujdesje ndaj kafshëve.