Një prej vrasjeve më tronditëse të pasluftës në Kosovë ka ndodhur saktësisht 17-vjet më parë, më 17 janar të vitit 2002, kur ish-deputeti i LDK-së Smajl Hajdaraj ishte qëlluar për vdekje në hyrje të banesës së tij në Pejë.

Atë e vranë persona që ende nuk janë identifikuar dhe rasti vazhdon të bredhë nëpër institucionet vendore të drejtësisë.

Teksa sot janë mbushur 17 vite që prej rastit tragjik që ndodhi në Pejë, vrasja e Smajl Hajdarajt nuk është zbardhur ende. Madje pavarësisht shpresave të familjarëve, rasti i Smajl Hajdarajt nuk futet në mandatin e përcaktuar të Gjykatës Speciale për hetimin e lëndëve

E në një rrëfim për Insajderin, para rreth tetë muajsh, djali i Smajl Hajdarajt, Shpëtimi, 39-vjeç, tha se i ka humbur durimi tek institucionet vendore të drejtësisë, që pas më shumë se 16 vitesh nuk i kanë kthyer asnjë përgjigje lidhur me vrasjen e babait.

Shpëtim Hajdaraj rrëfeu se “nuk ka pasur hetime serioze dhe të mirëfillta” lidhur me rastin e atentatit ndaj të atit, teksa pohon se nuk ka marrë asnjëherë, asnjë përgjigje nga EULEX-i apo organet e drejtësisë në Kosovë.

Shpëtimi thotë se kishte mbajtur shpresa tek një raport i realizuar “para se të formohej Gjykata Speciale nga prokurori special [Clint] Williamson.”

“E kam lexuar raportin dhe megjithëse tërthorazi aty përmendeshin vrasjet e kundërshtarëve politik paslufte, unë kam shpresuar se së paku një apo dy raste zbulohen, atëherë fillon zinxhiri, sepse kanë shumë lidhshmëri rastet ndërmjet vete”, shprehet Shpëtimi.

Smajl Hajdaraj (majtas) në një takim me ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova

“Unë nuk do të ndalem asnjëherë. Gjykata Speciale ka qenë shpresa jonë e fundit, por nëse edhe kjo nuk i trajton atëherë me të vërtetë…”, shprehej Shpëtimi.

Ai dhe babai nuk ishin parë në dy javët e fundit para mbrëmjes së 17 janarit të 2002-s kur Smajl Hajdaraj ishte zënë në pritë para hyrjes së banesës së tij, para se të qëllohej për vdekje në moshën 51-vjeçare. Shpëtimi ndodhej në studime në Prishtinë.

“Unë kam qenë student. Ka qenë ditë e enjte, kam qenë në ligjerata atë kohë gjatë ditës dhe pasi që jam kthyer në mbrëmje, unë si student i ndërtimtarisë kam pasur shumë llogaritje, detyra; interesant atë natë nuk pata dëgjuar ende asgjë”, rrëfen Shpëtimi. “Diku kah mëngjesi i 18 janarit kanë ardhur disa studentë nga Peja, të cilët kanë studiuar në Prishtinë. Më thanë: ‘Hajde me shku në Pejë’”.

Asokohe, Hajdaraj sapo kishte filluar punën e tij si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin e Kosovës. Kishin kaluar më pak se një muaj ditë që prej fillimit të punës së Kuvendit, raporton Insajderi.

Para se të vritej Hajdaraj, rreth 40 aktivistë dhe anëtarë të LDK-së ishin vrarë gjatë viteve të luftës 1998/99 dhe rreth dhjetë të tjerë ishin plagosur.  Këto vrasje të kryera gjatë luftës dhe në vitet e para të pasluftës që i paraprinin njëra-tjetrës, kishin krijuar një klimë të tensionuar gjatë atyre viteve në Kosovë. Madje, Shpëtimi thotë se babai i tij kishte parandjerë aktin e kryer ndaj tij.

“Kur ndodhte ndonjë vrasje paraprake, për shembull siç janë ato të Shaban Manajt, Xhemajl Mustafës e pastaj Ismet Rracit, babai me fjalë thoshte: ‘A thua cili nga ne tash e ka radhën për t’u vrarë?’”, e citon Shpëtimi të atin, teksa shprehet se “këto fjalë i kam dëgjuar nga babai me veshët e mi”.

Në 17-vjetorin e vrasjes së babait të tij, Shpëtim Hajdaraj ka zbuluar një fotografi të babait të tij të realizuar rreth një javë para vrasjes.