Profesori i Studimeve Islame, Xhabir Hamiti ka thënë se në Kosovë ekziston përshtypja se “e vetmja derë e hapur për ne është Turqia”, në një intervistë që ka dhënë për gazetën britanike The Guardian.

Hamiti, i cili ka folur lidhur me financimin e xhamisë së madhe në Prishtinë nga Turqia, ka thënë se disa njerëz në Kosovë duan të bashkëpunojnë me Turqinë.

“Akterët e jashtëm kanë interes që ta paraqesin konfliktin për Kosovën si më shumë fetar sesa politik – për shembull, [ish-lideri serb] Millosheviqi luajti me kartat e Islamofobisë Evropiane dhe frikës nga ekstremizmi për të delegjitimuar përpjekjet tona për pavarësi”, u shpreh Hamiti.

“Njerëzit pyesin: pse nuk vijnë këtu investitorët evropianë? A ndodh kjo për faktin se jemi myslimanë? Përshtypja është se e vetmja derë e hapur për ne dërgon kah Turqia – dhe disa duan që të hyjnë në të”, deklaroi ai për The Guardian.