“Serbia dhe Kosova janë larg zgjidhjes gjithëpërfshirëse, përkundër bisedimeve për shkëmbim të territoreve me qëllim të arritjes së marrëveshjes”, ka deklaruar kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq për “Financial Times”.

Bërnabiq ka paralajmëruar se “shkëmbimi i territoreve, edhe sikur këto bisedime të ishin hapur, do të ishte vetëm pjesë e zgjidhjes së mundshme përfundimtare, dhe se nuk do të mjafton për marrëveshje paqësore”.

“Marrëveshja përfundimtare, nëse arrihet, duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Duhet të përfshijë të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunimin afatgjatë të serbëve dhe shqiptarëve, mësimi i dyja gjuhëve, si dhe trashëgiminë kulturore, kishat dhe manastiret”, ka thënë Bërnabiq në një intervistë për gazetën britanike.

Kryeministrja serbe pretendon se liderët kosovarë “bëjnë gabim të madh nëse mendojnë se dialogu në mes të Beogradit dhe Prishtinës do të rezultojë me njohjen formale serbe të pavarësisë së Kosovës”

“Ata mendojnë: Po, Serbia thjesht do ta pranojë pavarësinë tonë, por kjo gjithsesi nuk do të ndodh. Ata duhet të lëvizin nga pozita e tyre e rehatshme dhe të takohen me ne në gjysmë të rrugës, ku po i presim, të bëjmë kompromis”, ka thënë ajo.

Bërnabiq e ka kundërshtuar pikëpamjen në Bruksel se njohja zyrtare e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është parakusht për hyrje të saj në BE, duke pretenduar se “mungesa e pajtimit në mes të anëtareve të BE ndaj statusit të Kosovës do të thotë se marrëveshja për normalizim afatgjatë të marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës do të mjaftonte për hyrje të Serbisë në BE”.