Kosova është shndërruar në një pikë përplasje ndërmjet ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe kryeministrit të Bullgarisë, Boyko Borissov.

Gjithçka ka nisur kur Borissov ka thënë se ministri i Jashtëm i Spanjës, Josep Borell, nëse emërohet në krye të diplomacisë së Bashkimit Evropian, atëherë ai karshi Kosovës duhet të prezantojë qëndrimin e BE-së dhe jo të Spanjës.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ashpër Ivica Daçiq, ndërsa gjithë këto përplasje mes Serbisë dhe Bullgarisë është munduar që t’u jap fund kryeministrja serbe, Ana Brnabiq.

Ajo ka treguar se është takuar në Sarajevë më homologun e saj nga Bullgaria, dhe se kanë pasur rastin që t’i qartësojnë keqkuptimet e shkaktuara nga deklaratat e Borissov për Kosovën.

“Ne e kemi mbyllur atë histori”, ka thënë Brnabiq, shkruan N1.

Kryeministrja serbe ka thënë se nuk ka nevojë që të shkaktohen tensione mes Serbisë dhe Bullgarisë, pasi që dy shtetet kanë projekte të përbashkëta.

“Nuk ka nevojë që t’i tensionojmë marrëdhëniet. Ne kemi shumë projekte të përbashkëta, dhe duhet ta vazhdojmë atë rrugë”, ka thënë Brnabiq.

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, sot i është rikthyer përsëri polemikës me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daciq, duke i thënë se nuk e kupton se çfarë ka të paqartë Daciq.

Në Samitin për bashkëpunim të vendeve të Evropës Juglindore, që po mbahet në Sarajevë të Bosnjës, Borissov ka thënë se për Kosovën e ka thënë atë që e mendon dhe se nuk ka asgjë të paqartë.

‘Unë nuk e di çfarë është kontroverse në qëndrimit tim për Kosovën. Unë e kam thënë atë që e mendoj, prandaj ne duhet të fillojmë diskutimet për gjërat rreth të cilave nuk pajtohemi”, ka thënë kryeministri bullgar, shkruan Express.

Ai ndër të tjera ka thënë se edhe Bullgaria ka probleme më Turqinë, njëjtë sikurse Kosova me Serbinë, por Borissov thotë se takohen dhe flasin për t’i zgjidhur ato për të pasur progres.

‘Dhe ne kemi çështje të hapura me Turqinë, jo vetëm Beogradi me Prishtinën, por ne ulemi, bisedojmë me përfaqësuesit e tyre, krijojmë iniciativa dhe aktivitetet të ndryshëm që janë jetike për progresin”, ka sqaruar tutje Borissov