Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq ka deklaruar për portalin malazias “Borba” se organet kompetente të Serbisë do të studiojnë me kujdes aktgjykimin për grusht shtet në Mal të Zi.
 

“Ne nuk mund të përzihemi në aktgjykimin e shkallës së parë, por aty gjithqysh ka shumë gjëra të çuditshme dhe organet kompetente të Serbisë do ta studiojnë aktgjykimin”, ka thënë Daçiq.

Serbia, sipas fjalëve të tij, “ka obligim t’i mbrojë dhe t’i ofrojë ndihmë çdo shtetasi të saj dhe pjesëtarëve të popullit serb”.

Borba pretendon se ky është reagimi i parë i Serbisë ndaj aktgjykimit me të cilin janë dënuar liderët e partisë serbe në Mal të Zi, Frontit Demokratik Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq nga pesë vjet burgim.

Përveç tyre, janë dënuar edhe shumë shtetas serb në dënime me burg nga një vit deri në 8 vjet burgim, si dhe dy shtetas rusë me 15 gjegjësisht 12 vjet burgim, për shkak të tentimit të terrorizmit.