I ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, njëherësh edhe nënkryetar i SNS-së, Marko Gjuriq, ka hedhur akuza të rënda ndaj kryetares së Lëvizjes Evropiane të Serbëve, Rada Trajkoviq.

Siç shkruan “Tanjug.rs”, Gjuriq pretendon se Trajkoviq është e paguar nga Kosova dhe Mali i Zi që të shpifë kundër Serbisë, presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Listës Serbe, pasi, siç theksoi ai, këto dy vende dhe Trajkoviq kanë frikë nga forcimi i Serbisë, transmeton RTK.

“Deklarimet e Rada Trajkoviqit për mediet e huaja nuk janë vetëm trillime të saja, por janë gënjeshtra të porositura për të treguar në interes të atyre që shqetësohen nga forcimi i Serbisë”, theksoi Gjuriq.

Sipas tij, pavarësisht këtyre gënjeshtrave dhe urrejtjes së Trajkoviqit, Partia Progresiste Serbe do të vazhdojë të ndjekë politikat e presidentit serb Vuçiq dhe të luftojë për popullin serb në Kosovë.

Gjuriq po ashtu ka thënë se deklaratat e Trajkoviqit se zgjedhja e Serbisë nuk duhet të jetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por në NATO, dëshmojnë më së miri se Trajkoviq përmes këtyre deklaratave po ndërton karrierën e saj, siç u shpreh ai, shpifëse dhe problematike.

“Histeria anti-ruse, shpifja për përfshirjen e Serbisë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, sulmet personale ndaj presidentit Vuçiq, kundërshtimi i zgjidhjeve që do të cenonin integritetin e Kosovës, janë armë nga arsenali i militantëve Euro-Atlantikë, si dhe Rada Trajkoviqit pa asnjë kufizim. Serbia është një shtet neutral dhe i pavarur dhe sado që Trajkoviq dhe komisionerët e saj mundohen, ajo do mbetet e njëjtë deri sa qytetarët e saj të vendosin ndryshe”, theksoi Gjuriq.