Një viktimë e dhunës seksuale po përballet me një dënim të mundshëm prej 20 vitesh burgim, pasi është ngarkuar me akuzat për tentim-vrasje, pasi lindi fëmijën e dhunuesit të saj në një tualet në El Salvador.

Në një rast ku vihen në pah ligjet e ashpra të shtetit për abortin, Imelda Cortez, 20 vjeçare, e cila vjen nga një zonë e varfër rurale, ka qenë në mbajtje që nga prilli i vitit 2017, pasi lindi një foshnjë të gjinisë femërore, babai i së cilës ishte njerku i saj që e kishte dhunuar.

Ajo ishte dërguar shpejt në spital kur nëna e saj kishte zbuluar se vajza po përjetonte dhimbje të forta dhe gjakderdhje të mëdha. Mjeku i emergjencës dyshoi se ajo kishte tentuar të abortonte dhe e njoftoi policinë. Zyrtarët policorë e gjetën foshnjën të gjallë dhe të shëndoshë.

Cortez ishte abuzuar nga njerku i saj 70 vjeçar që nga mosha 12 vjeçare dhe tha se nuk e dinte që ishte shtatzënë. Foshnja mbijetoi, por ajo u akuzua për tentim-vrasje dhe u dërgua në paraburgim, pas një jave të qëndrimit në spital. “Ky është rasti më skandaloz dhe më ekstrem i padrejtësisë ndaj një gruaje që kam dëgjuar ndonjëherë. Shteti në mënyrë të vazhdueshme i ka shkelur të drejtat e saj si viktimë. Ajo po vuan shumë, por e ka refuzuar trajtimin psikologjik”, deklaroi Bertha Deleon, një nga avokatet mbrojtëse të viktimës.

Derisa ajo ishte në spital, njerku i saj e kishte vizituar dhe e kishte kërcënuar se do ta vrasë atë, nënën e saj dhe të afërmit e saj, nëse ajo do ta raportonte rastin. Një pacient tjetër e dëgjoi këtë kërcënim dhe e njoftoi një infermiere, e cila telefonoi policinë.

Fillimisht, prokurorët e kishin akuzuar viktimën se e ka shpikur dhunimin si përpjekje për ta arsyetuar krimin, derisa testi i ADN-së e vërtetoi atësinë e dhunuesit. Në anën tjetër, njerku i saj ende nuk është akuzuar zyrtarisht. Rasti i saj hapet sot në gjykatë, me ç’rast tre gjykatës pritet të merren me këtë rast brenda kësaj jave.

Aborti është vepër e ndaluar në çfarëdo rrethane në El Salvador dhe kjo ndalesë e ka sjellur ndjekjen penale të shumë grave. Shumica e tyre janë të varfra dhe banore të zonave rurale, shkruan “The Guardian”,