Burgu hetimor “Shkupi” ka informuar Gjykatën Penale të Shkupit se deputeti dhe ish kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski nuk është lajmëruar në mënyrë vullnetare në vuajtje të dënimit në afatin e caktuar ligjor.
 

Burgu hetimor “Shkupi” ka informuar Gjykatën Penale të Shkupit se deputeti dhe ish kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski nuk është lajmëruar në mënyrë vullnetare në vuajtje të dënimit në afatin e caktuar ligjor.

Nga Gjykata Penale “Shkupi 1” i kanë thënë medieve lokale se pas disa tentimeve të pasuksesshme prej të premtes, sot do të përpiqen t’i dorëzojnë Gruevskit aktvendimin për dërgimin e tij në vuajtje të dënimit me burg prej dy vjetëve sipas aktgjykimit të plotfuqishëm në rastin “Tanku”.

“Deri në fund të orarit të punës do të raportojnë për tentimin e fundit që Gruevskit t’i dorëzohet aktvendimi  për veprimet e mëtutjeshme nëse nuk do të ketë sukses në këtë”, pretendon portali sdk.mk, duke përkujtuar se zyrtari gjyqësor të premten mbrëma në tri tentime nuk e ka gjetur ish kryeministrin në adresën e letërnjoftimit.

Informacioni i burgut se Gruevski nuk është paraqitur në mënyrë vullnetare për vuajtje të dënimit, është kusht në bazë të cilit gjykata mund të kërkojë lëshimin e fletë arrestit.

Këshilli penal i Gjykatës Themelore “Shkupi 1” të premten herët para dite e ka hedhur poshtë ankesën e Gruevskit dhe e ka vërtetuar aktvendimin me të cilin i refuzohet ish kryeministrit shtyrja e vuajtjes së dënimit me burg dhe e dërgon në burg.

Sipas aktit urdhërues, Gruevski ishte dashur të lajmërohet në burg në lagjen e Shkupit Shuto Orizari më së voni deri më 8 nëntor, mirëpo ky afat është shtyrë deri në afatin e ankesës dhe vendimin e Këshillit Penal.

Në këtë procedurë gjyqësore në shkallën e parë është dënuar me gjashtë vjet burgim ministrja e atëhershme e brendshme e Maqedonisë dhe bashkëpunëtorja e afërt e Gruevskit, Gordana Jankulovska, derisa ndihmësi i saj Gjoko Popovski është dënuar me vendim të plotfuqishëm në katër vjet e gjysmë.

Për blerjen e veturës luksoze të paguar gati 600.000 euro u kuptua në vitin 2015, kur opozita e publikoi bisedën e përgjuar në të cilën Gruevski kërkon nga ministrja e atëhershme Jankulovska që ministria e saj e brendshme ta blejë “Mercedesin” të cilin do ta përdorte ai, por që mos ta merr vesh opinioni.