Kandidati për kryetar të bashkisë Lezhë, Eduart Ndocaj, pretendon se është kërcënuar me anë të telefonatave që i kanë ardhur në numrin e tij personal, ku i kërkohet që të tërhiqet nga gara për zgjedhjet vendore.

Për këtë Ndocaj ka bërë kallëzim në policinë dhe prokurorinë e Lezhës, ndërsa pretendon se kërcënimet ndaj tij janë bërë nga njerëz të kandidatit të Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu.

Ndocaj ka kërkuar që të nisin menjëherë hetimet në lidhje me këtë çështje, pasi sipas tij përfaqësuesit e mazhorancës po kërcënojnë çdo ditë dhe qytetarët.

Pas denoncimit, burime nga Prokuria e Lezhës kanë bërë më dije se do të nisin verifikimet në lidhje me pretendimet e Eduart Ndocajt.