Për deklaratat e nënkryetarit të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, të bëra në televizionin T7, për vrasjen e ushtarëve serb, ka reaguar sot edhe ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Nela Kuburovic.
 

Për deklaratat e nënkryetarit të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, të bëra në televizionin T7, për vrasjen e ushtarëve serb, ka reaguar sot edhe ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Nela Kuburovic.

Kuburovic e ka quajtur si skandaloze këtë deklaratë të Haradinajt i cili kishte thënë po ashtu se kërkon falje që nuk ka mundur të vrasë më shumë ushtarë serb. Ndaj tij, Kuburovic ka kërkaruar reagim edhe të zyrtarëve ndërkombëtar.

“Deklarata skandaloze. Kërkoj nga institucionet ndërkombëtare një reagim urgjent. Kjo është edhe një arsye pse Gjykata Speciale duhet të fillojë punën sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka thënë Kuburovic për ‘tanjug”.

“Kam vra ushtarë serbë sa herë që kam pasur shansin. I them familjes time se më vjen keq që nuk kam vra aq sa më ka dashur qejfi. Më vjen keq që m’i kanë vra shokët, por më vjen mirë që i kam vrarë serbët”, është deklarata e Nasim Haradinajt e bërë në T7.

Këto deklarata Haradinaj i kishte bërë derisa kishte folur për aktakuzat e mundshme të Gjykatës Speciale, duke thënë se nuk ka fare frikë nga një Gjykatë e tillë.

Haradinaj madje e ka quajtur si të padrejtë formimin e një Gjykatë të tillë e cila në mënyrë të padrejtë do të gjykojë shqiptarët.

Ai ka thënë se dihet fare mirë se kush kishte qenë agresori në luftën e fundit, dhe kush kishte kryer krime gjatë luftës së fundit.

Sipas rezultateve zyrtare të botuara nga arkivat kosovare, ushtria serbe gjatë vitit 1998-1999 ka vrarë, 11.843 kosovarë, prej tyre 1.392 fëmijë dhe 1739 femra.