Kuçova në jug të Shqipërisë, do të jetë bazë ajrore që do të shërbejë si bazë mbështetëse për Aleancën Veriatlantike, për furnizimet ajrore, për logjistikën, për policimin ajror, si dhe për trajnimin dhe stërvitjet e Forcave të Aleancës.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi me ushtarakë në bazën ajrore të Kuçovës, ku prezantoi edhe buxhetin për mbrojtjen për vitin 2019.

“Morëm angazhimin e NATO-s për të investuar në bazën e Kuçovës mbi 50 milionë euro. Është investim që do të mundësojë transformimin e kësaj hapësire në një aeroport ushtarak standardesh të NATO-s, që do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n, për furnizimet ajrore, për logjistikën, për policimin ajror, si dhe për trajnimin dhe stërvitjet e Forcave të Aleancës. Patjetër që kjo do të jetë njëkohësisht edhe një bazë kombëtare për Forcat Ajrore të Shqipërisë, duke kërkuar mundësinë e një standardi të ri të Forcave tona të Armatosura në këtë sektor të posaçëm”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Sipas kreut të ekzekutivit shqiptar, ky investim do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe social të të gjithë kësaj zone, ku ndërtimi i një baze ajrore të teknologjisë së fundit, jo vetëm do të thotë më shumë punësim, por edhe më shumë ekonomi dhe konsum në një rreze të caktuar rreth saj.