Në Maqedoni, vazhdon votimi për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku në garë janë dy kandidatë, Stevo Pendarovski, i partive në pushtet dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO DPMNE-së.
 

Të drejtën e votës e kanë rreth 1.8 milion persona; procesi do të konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse ne votime dalin mbi 40% e zgjedhësve. Nëse zgjedhjet dështojnë, detyrën e presidentit të përkohshëm do t'a ushtronte kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Në raundin e parë të zhvilluar në 21 Prill, në votime dolën, 41.67% e zgjedhësve. Kandidati shqiptar Blerim Reka, nuk arriti dot t'a kapërcente atë raund, ndërsa fushata e balotazhit tani është përqendruar pikërisht tek përpjekjet për tërheqjen e votave të shqiptarëve.

Retorika e dy kandidatëve të mbetur ka qenë shumë e kujdesshme kundrejt shqiptarëve, e madje Gordana Siljanovska ka deklaruar se do të jetë presidente e gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike, politike apo fetare.

Pendarovski, i mbështetur nga BDI, i ka sulmuar këto pretendime të saj, duke thënë se Siljanovska tregohet e matur vetëm se për tërheqjen e votave të shqiptarëve pasi në fakt ka dëshmuar se është për shtet etnocentrik.