Që në moshën 12-vjeçare ‘specialist’ kompjuterash. Vidhte të dhëna duke hakuar profile të ndryshme në rrjetet sociale dhe adresa e-maili.

Pas 6 muajsh hetime, Policia e Tiranës i ka vënë prangat 20-vjeçarit Arben Bozhiqi, i lindur në Pajovë-Peqin dhe banues në Laprakë, Tiranë, i cili akuzohet për veprat penale “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “Falsifikim kompjuterik” dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

20-vjeçari dyshohet se ka ndërhyrë në mbi 3000 adresa të rrjeteve sociale dhe të tjera, të cilat kanë qenë të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, aktivitet që e bënte që prej vitit 2010.

Arrestimi u bë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pajisje kompjuterike dhe një telefon celular.

Këto pajisje pasi u shikuan, rezultoi të përmbanin të dhëna të rëndësishme me interes për hetimin dhe më saktësisht:

– U gjetën 11 profile të rrjetit social “Facebook” me të dhëna të rreme të cilat administroheshin dhe përdoreshin nga shtetasi Arben Bozhiqi.

– Gjatë këqyrjes së profileve që administroheshin nga ky shtetas u gjetën foto intime të vajzave të ndryshme disa prej të cilave dyshohet se kanë qenë minorene në kohën kur këto foto janë realizuar si dhe dyshohet se këto foto janë marrë nëpërmjet marrjes së adresave të rrjeteve sociale të këtyre shtetaseve.

– Mbi 1200 adresa të ndryshme të postës elektronike (e-mail, hotmail, yahoo, live etj.) të shtetasve të ndryshëm.

– Mbi 400 kode hyrjeje (password) për adresa të ndryshme të rrjeteve sociale të shtetasve të ndryshëm etj.

– Mbi 100 adresa (URL) të faqeve të ndryshme të rrjetit social “Facebook” të shtetasve të ndryshëm.

– Mbi 50 link-e (adresa) të ndryshme të cilat janë përdorur në periudha të ndryshme kohore për të marrë (phishing) kodet e hyrjes së adresave të ndryshme të postës elektronike, rrjeteve sociale.

Bozhiqi nga bisedat e kryera në rrjetet sociale rezulton se kishte një shkëmbim adresash me qëllime të ndryshme si fitimi.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat të cilët mund të jenë të lidhur me këtë person.

Materialet hetimore në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprimeve të mëtejshme për veprat penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike” si dhe për veprat të cilat dolën gjatë hetimit “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.