Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se, vendimi i parlamentit holandez për heqjen e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, është një vendim thjesht dhe vetëm politik, që nuk ndikon në asnjë mënyrë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë.

Rama tha se ky është një vendim në vazhdën e një procesi elektoral të një vendi si Holanda, ku nuk është sekret se ka një zhvillim të vazhdueshëm të një politike intensivisht kundër zgjerimit, emigrantëve dhe shqiptarëve.

“Shqiptarët janë zgjedhur nga disa parti në atë vend, si një kokë turku për retorikën agresive nacionaliste në raport me zhvillimet përtej kufijve të Holandës në BE dhe një politike agresive kundër politikave europiane të zgjerimit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo është një procedurë parlamentare, e cila nuk ka asnjë implikim të drejtpërdrejtë në lëvizjen e lirë të shqiptarëve”.

Duke shpjeguar më konkretisht procedurat, Rama tha se “për revokimin e lëvizjes së lirë duhet të përmbushen disa kritere objektive, asnjë prej të cilave nuk përkon me realitetin e faktorit shqiptar në Holandë”.

“Më e bukura është që Ministri për Drejtësinë dhe Sigurinë i Holandës, i pranishëm në seancën parlamentare, në fjalën e tij reagoi duke thënë që nuk ka asnjë kriter të përmbushur negativisht për të adresuar këtë problematikë me një vendim të parlamentit. Ministri për Drejtësinë dhe Sigurinë në Holandë, që vizitoi para pak ditësh Shqipërinë dhe u shpreh me tone shumë pozitive në raport me të gjithë ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve”, tha Rama.

Duke u ndalur te kriteret që duhet të përmbushen për revokimin e lëvizjes së lirë, Rama tha se “së pari duhet të ketë një rritje të qëndrueshme të emigracionit të parregullt nga një vend në vendin përkatës të BE-së dhe këtu konsiderohet dyfishimi i atyre që emigrojnë”. Në fakt, tha Rama, “kemi rënie dhe jo rritje, apo aq më tepër dyfishim të emigracionit të parregullt”.

“Së dyti, duhet që rritja e numrit të azilkërkuesve në vendin përkatës të jetë dyfish. Jo vetëm që nuk ka rritje dyfish të azilkërkuesve shqiptarë në Holandë, por ka rënie. Së treti duhet të konstatohet mungesë vullneti në bashkëpunimin mes vendeve për kthimet e emigrantëve të parregullt në bazë të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare. Në fakt  ka rritje të bashkëpunimit e nënvizuar kjo nga autoritet holandeze”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri theksoi se kriteri i katërt ka të bëjë me faktin se vendi që merret në shqyrtim dhe ndaj të cilit pretendohet të vihet në lëvizje procesi i ndalimit të lëvizjes së lirë, duhet të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit tjetër dhe kjo nuk ekziston.

Lidhur me kriterin e pestë, Rama tha se “duhet të konstatohet kthimi mbrapa në zbatimin e të gjithë kritereve teknike të përcaktuara për lëvizjen e lirë”. “Këto kritere teknike janë vlerësuar në mënyrë sistematike në Komisionin Europian, i cili në dhjetor 2018 në vlerësimin rutinë, ka nënvizuar se Shqipëria i plotëson 100% këto kritere”, tha Rama.