“Ne kemi dhënë provën se mes një palë zgjedhjesh pa opozitën dhe zgjedhjeve me opozitën, ne kemi parapëlqyer të dytën dhe kemi sakrifikuar politikisht për ta bërë këtë të mundur”.
 

Kështu deklaroi sot në Kuvend, kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur të gjithë atyre që mendojnë se zgjedhjet janë anormale në kushtet kur dy parti politike jo të parëndësishme i kanë braktisur ato.

Rama tha se “ata nuk duhet të mendojnë se jemi ne që e duam dhe priremi drejt kësaj gjëje, ne thjesht nuk kemi asnjë rrugë tjetër”.

Kryeministri solli në kujtesë situatën para dy viteve, kur PD ishte futur në çadër, ndërsa “aleatët tanë rrinin mes çadrës dhe qeverisë në pritje të binte qeveria”.

“Në 2017 ne kaluam ylberin në raport me traditën politike në Shqipëri por edhe në raport me vetë mandatin tonë. Ne ndamë të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes me ta duke u besuar atyre as më shumë e as më pak, por Ministrinë e Punëve të Brendshme plus ministritë e tjera dhe agjencitë më të rëndësishme shtetërore”, tha Rama.

Por sipas tij, është në rastin kur zgjedhjet u certifikuan nga të gjitha palët dhe u administruan nga vetë opozita, ata u kujtuan t’i konsideronin të paligjshme 2 vite më vonë.